Murinjo anglezëve: Ejani më merrni!

Zhoze Murinjo u ka bërë ftesë të hapur klubeve angleze të tregojnë se duan me të vërtetë ta marrin atë, duke përsëritur dëshirën e tij për t’u kthyer në Angli. Portugezi bëri emër në arenën ndërkombëtare në tre vitet e tij në drejtimin e Çelsit, duke u kthyer nga një trajner i mirë në një trajner me famë botërore, ndërsa nuk ka fshehur asnjëherë dëshirën të kthehet përsëri në kampionatin anglez, pasi ka patur shpesh spekulime që një gjë e tillë do të ndodhte thuajse çdo vit që nga momenti i largimit.

Murinjo mendohet se është favoriti për të drejtuar Mançester Junajtid apo Mançester Sitin, në momentin kur nga këto skuadra do të largohen Aleks Ferguson apo Roberto Mançini, duk kërkuar një punë me kohëzgjatje, që mund të sigurohet vetëm në Angli, ku ekziston kultura e mosndryshimit të trajnerit për periudha disavjeçare pavarësisht rezultateve.

I pyetur nga BBC nëse do të kthehej përsëri në Angli, pse jo edhe te Çelsi, Murinjo ka qenë shumë i hapur ndaj një mundësie të tillë.

“Unë do të shkoj atje ku njerëzit më duan me të vërtetë dhe kur të vijë momenti, ta tregojnë një gjë të tillë. E përsëris, jam te Real Madrid dhe më pëlqen shumë të qëndroj këtu. Por një ditë do të kthehem në futbollin anglez, e kam thënë gjithmonë këtë”.

“Kur unë shkoj te një klub, unë vesh fanellën e atij klubi, e ndjej atë si të jetë e para apo e fundit. Ndjej sikur fansat janë pjesë e imja, krijoj lidhje të përjetshme me ta. Shkoj të luaj kundër Çelsit dhe e ndjej një gjë të tillë, shkoj në Itali dhe është e njëjta gjë”.

“Unë punoj për klubin, punoj për njerëzit që kanë besim te unë dhe sigurisht për pronarët dhe drejtuesit, por klubi në vetvete janë tifozët. Për mua, kjo është një nga cilësitë që kam. Unë bëhem menjëherë një prej tyre dhe ndjej që jam një prej tyre me një pozicion të privilegjuar për të luftuar për klubin dhe për t’i sjellë të gjithë atyre lumturi”, ishin fjalët e teknikut portugez që ka rihapur edhe një herë debatin rreth të ardhmes së tij. (LajmeShqip.com)

Lajme të ngjashme

Back to top button