Barca mbetet po ajo e vjetra

Barcelona ka shkatërruar Real Sociedadin duke e mposhtur me rezultat të thellë 5-1 në Camp Nou, për të treguar se ndryshimi i trajnerëve nuk ka ndryshuar mënyrën e lojës së skuadrës.
Ndeshja e sotme ishte e para në La Liga për trajnerin e ri Tito Vilanova, i cili zëvendësoi Pep Guardiolën në fund të sezonit të kaluar, dhe e para edhe për mbrojtësin e ri të skuadrës, Jordi Alba.

Blaugranët edhe në këtë fillim sezoni u shfaqën të rrezikshëm që nga starti i ndeshjes, duke kaluar në epërsi të hershme falë një goli të kapitenit Carles Puyol (4’).
Skuadra mysafire arriti të barazojë shpejt rezultatin, duke shënuar përmes Castro, gol që në të vërtetë vetëm sa ndezi motorët e Barcelonës. Dy gola të shpejtë nga Lionel Messi (11’ dhe 16’) dhe një gol tjetër nga Pedro Rodriguez (41’) mbyllën pjesën e parë të takimit në favor të vendasve.

Pjesa e dytë ishte po aq ofensive për Barcelonën sa edhe pjesa e parë, por golat munguan deri në fund të takimit, kur zëvendësuesi David Villa u kthye nga lëndimi duke shënuar (84’) për të vulosur takimin.

Ndryshe nga Barcelona, kampioni në fuqi i La Ligës dhe rivali më i madh i Blaugranëve për titullin e këtij sezoni, Real Madridi, në ndeshjen e sotme, po të parën e sezonit, nxori vetëm një barazim 1-1, por që pati një rival më të vështirë, Valencian. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button