Gostivar, ende asgjë nga gjykimi i vrasësit të dy të rinjve

Edhe përkundër paralajmërimeve se procesi gjyqësor kundër policit Jakim Trifunovskit, autor i vrasjes së dyfishtë në Gostivar do të fillojë më së voni në muajin gusht, me sa duket kjo gjë nuk ka për të ndodhur. Kështu ka thënë avokati mbrojtës i palëve të dëmtuara Vullnet Paçuku.

“Procesi gjyqësor në muajin gusht nuk besoj së mund të filloj, nuk kam dijeni se saktë deri ku është procedura vetëm e di se është ngritur akuzë nga ana e prokurorisë, nuk kam as të dhëna se kjo akuzë është e plotfuqishme, në momentin kur do të jetë e plotë fuqishme, Gjykata do të caktojë seancën e parë”, tha Paçuku.

Këtë procedurë sipas avokatit ligjërisht është e obliguar ta udhëheqë prokuroria themelore e Gostivarit, dhe se pala e dëmtuar për momentin është e obliguar të pres.

“Në bazë të ligjit që ka për obligim të ndjek raste penale dhe të akuzojë fajtorët, e gjithë procedura i mbetet prokurorisë, do të thotë ne në këtë procedurë do të jemi vetëm si palë e dëmtuar përderisa prokuroria është organi i akuzës. Nëse prokuroria tërhiqet nga akuza ndaj tij atëherë ne do të kemi të drejta të akuzës ndaj kryerësit të veprës penale” shpjegoi Paçuku.

Avokati mbrojtës i palëve të dëmtuara ndaj kryerësit të veprës penale kërkon dënim maksimal.
“Kërkesat janë dënim maksimal dhe dëmshpërblim për familjarët që u takojnë në raste të tilla” përfundoi Paçuku.

Familjarët e viktimave vazhdon të jenë në pritje të procesit gjyqësor kundër. Haqif Shehapi, axha i viktimës Besnik Shehapi (26), thotë se vazhdojnë të presin ndonjë informatë zyrtare për të mësuar deri ku është procedura.

“Nuk kam asnjë koment, nuk di çfarë të ju them, e di se nuk ka filluar procesi, tjetër gjë nuk di. Gjyqi deri tani nuk na ka informuar asgjë, vetëm një herë kemi qen atje. Përndryshe neve në gjyq nuk na kanë thirrur aspak. Ne kemi angazhuar avokatin dhe presim nga ai për punët e drejtësisë nuk e di çfarë hapi mund të marrim ne nëse procesi nuk fillon procesi gjyqësor sa më pare” tha Shehapi.

Jakim Trifunovski, anëtarë i policisë së Maqedonisë, me 28 shkurt të këtij viti pas një zënke për parkimin e makinës, ka lënë të vdekur 30 vjeçarin Imran Mehdia dhe 26 vjeçarin  Besnik Shehapi.

Në Maqedoni brutalitetit policor nuk është dukuri e rrallë, pas kësaj ngjarjeje dhe asaj të vrasjes së Martin Neshkovskit në vend pasuan protesta kundër këtij brutaliteti, mirëpo ministrja e brendshme Jankullovska nuk dha dorëheqje si që kërkuan protestuesit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button