Avokati i Popullit: Të merren masa urgjente për shtatzëninë e adoleshenteve
Në periudhën prej dy viteve, gjegjësisht 2016 dhe 2017, në institucionet shëndetësore publike 731 adoleshente kanë lindur fëmijë, ndërsa 62 prej tyre e kanë ndërpre shtatzëninë. Spitalet nuk kanë të dhëna të sakta për to, ndërsa në më shumë raste nuk respektohet obligimi ligjor që të ketë përputhshmëri nga prindi ose kujdestari. Këto janë pjesë e konkluzioneve nga hulumtimi i Zyrës së Avokatit të Popullit, që sot e prezantoi zëvendësja e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska- Mustafa, transmeton Portalb.mk.
Ajo tha se Avokati i Popullit kërkon që urgjentisht të merren masa për menaxhim me problemin e shtatzënisë në moshë të re, të organizohet edukim i të rinjve në shkolla përmes punëtorive dhe materialeve të përshtatura për moshën e tyre në lidhje me shëndetin reproduktiv dhe mënyrat për mbrojtjen e shtatzënisë së padëshiruar.
“Ministria e Shëndetësisë të miratojë protokoll për veprim me pacientet adoleshente, në qoftë se bëhet fjalë për abortim, lindje ose intervenim tjetër gjinekologjik, si dhe protokoll se si të veprohet me foshnjën nëse nëna heq dorë prej saj. Institucionet kompetente patjetër të sigurojnë pajtueshmëri nga prindi ose kujdestari, ndërsa nëse nuk kanë mundësi të bëjnë këtë ta njoftojnë qendrën kompetente për punë sociale. Gjatë pranimit të pacientes në spital ta identifikojnë shoqëruesin me të cilin vjen, të përmirësohet komunikimi mes institucioneve shëndetësore dhe qendrat për shëndet publik, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë ta shqyrtojnë mundësinë për vendosjen e linjës telefonike ku do të mund të marrin informata në lidhje me arsimimin seksual”, tha Bajramovska-Mustafa.
Hulumtimi është bërë nënë 17 institucione publike shëndetësore ku është kryer veprim akusherik dhe gjinekologjik, së pari me pyetësor, pastaj me kontroll të dosjes së nënave adoleshente ose të atyre që kanë abortuar.
Në tetë institucione shëndetësore nga ata që janë përfshirë në hulumtimin në vitin 2016 dhe 2017 janë regjistruar 62 abortime te adoleshente, që kanë qenë të moshës prej 14 deri 18 vjeçare.
“Nga gjithsej 731 lindje në periudhën e hulumtimit, 4 janë prej moshës 11 deri 13 vjeçare, 225 janë të moshës prej 14 deri 16 vjet, ndërsa të mbeturit kanë lindur pa mbaruar moshën 17 vjeçare ose 18 vjeçare. Numri më i madh i nënave adoleshente janë rome ose 405 raste, pastaj maqedonase 162, shqiptare 109, 43 turke, 5 boshnjake dhe 6 nga përkatësi tjera etnike”, tha Bajramovska-Mustafa.