Gjykata e Lartë e SHBA-së gati të vendosë për kufizimet e barnave të abortit
Gjykata e Lartë po vendos nëse gratë do të përballen me kufizime në marrjen e një ilaçi të përdorur gjerërisht për të kryer abort në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që vazhdon një proces gjyqësor për këtë çështje, raporton VOA.
Anëtarët e gjykatës pritet të lëshojnë një urdhër të mërkurën për një çështje të ngritur nga Teksasi, në të cilën kundërshtarët e abortit po kërkojnë të heqin miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave për ilaçin, mifepristone.
Ilaçi fitoi për herë të parë miratimin e FDA-së në vitin 2000 dhe kushtet për përdorimin e tij janë lehtësuar vitet e fundit, duke përfshirë dërgimin e tij me postë në shtetet që lejojnë qasjen.
Administrata e presidentit Biden dhe prodhuesi i ilaçit, Danco Laboratories me qendër në Nju Jork, duan që gjykata më e lartë e vendit të refuzojë kufizimet në përdorimin e mifepristonit, të vendosura nga gjykatat më të ulëta, të paktën për sa kohë që çështja ligjore shqyrtohet nëpër gjykata. Ata thonë se gratë që duan ilaçin dhe kompanitë që e shpërndajnë atë do të përballen me kaos nëse kufizimet ndaj tij, hyjnë në fuqi. Në varësi të asaj që vendosin anëtarët e gjykatës, kjo mund të përfshijë kërkesën për gratë që të marrin një dozë më të lartë të ilaçit sesa FDA thotë se është e nevojshme.
Aleanca Mbrojtja e Lirisë, që përfaqëson mjekët kundër abortit dhe grupet mjekësore në një sfidë ndaj ilaçit, po mbron vendimet duke i bërë thirrje Gjykatës së Lartë që të lejojë që kufizimet të hyjnë në fuqi tani.
Lufta ligjore mbi abortin vjen më pak se një vit pasi anëtarët konservatorë që përbëjnë shumicën në Gjykatën e Lartë përmbysën ligjin e abortit dhe lejuan më shumë se 12 shtete të ndalojnë në mënyrë efektive abortin.
Megjithë ndryshimet dramatike për çështjen e abortit në disa shtete, kundërshtarët e abortit u përqëndruan tek abortet përmes ilaçeve, të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjitha aborteve në Shtetet e Bashkuara.
Kundërshtarët e abortit ngritën padi në nëntor në Amarillo, Teksas. Sfida ligjore arriti shpejt në Gjykatën e Lartë pasi një gjykatës federal lëshoi një vendim më 7 prill që do të revokonte miratimin e FDA të mifepristonit, një nga dy barnat e përdorura në abortet me ilaçe.
Më pak se një javë më vonë, një gjykatë federale e apelit modifikoi vendimin në mënyrë që mifepristoni të mbetej i disponueshëm ndërsa çështja vazhdon, por me disa kufizime. Gjykata e apelit tha se ilaçi nuk mund të dërgohet me postë ose të shpërndahet dhe se pacientët që e kërkojnë duhet të bëjnë ndër të tjera, tre vizita personalisht me një mjek.
Gjykata tha gjithashtu se ilaçi duhet të miratohet vetëm gjatë shtatë javëve të shtatzënisë për momentin, edhe pse FDA që nga viti 2016 ka miratuar përdorimin e tij deri në 10 javë të shtatzënisë.
Duke ndërlikuar situatën, një gjykatës federal në Uashington ka urdhëruar FDA-në të ruajë qasjen ndaj ilaçi mifepriston sipas rregullave aktuale në 17 shtete të udhëhequra nga demokratët dhe në Distriktin e Kolumbisë që ngriti një padi të veçantë.
Administrata Biden ka thënë se vendimet bien ndesh dhe krijojnë një situatë të paqëndrueshme për FDA-në.
Në një urdhër të lëshuar kohët e fundi nga gjyqtari Samuel Alito, gjykata vendosi kufizimet në pritje deri të mërkurën për t’i dhënë gjykatës kohë për të shqyrtuar apelin.
Nëse anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk janë të prirur të bllokojnë hyrjen në fuqi të vendimit për momentin, administrata Biden dhe Danco kanë një argument tjetër, duke i kërkuar gjykatës të marrë në shqyrtim sfidën për mifepriston, të dëgjojë argumentet dhe të vendosë çështjen deri në fillim të verës.
Gjykata vetëm rrallë e ndërmerr një hap të tillë përpara se të paktën një gjykatë apeli të ketë shqyrtuar tërësisht çështjet ligjore të përfshira.
Mifepristoni ka qenë i disponueshëm për përdorim në abortet me ilaçe në Shtetet e Bashkuara që kur FDA-ja dha miratimin në vitin 2000. Që atëherë, më shumë se 5 milionë gra e kanë përdorur atë, së bashku me një ilaç tjetër, misoprostol, për të nxitur aborte.