Kryeministrat Zaev dhe Cipras nuk do të takohen në Davos

Takim historik midis Zaevit dhe Ciprasit. Akulli i trashë u thye. Kështu ishte karakterizuar takimi i parë zyrtar “pa kravata” midis kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras në këtë kohë vitin e kaluar në Davos, qytetin alpin të ngujuar nga bora. Ai i vendosi drejtimin nëpër të cilin u zhvilluan negociatat midis Maqedonisë dhe Greqisë gjatë vitit të kaluar. Zaev në margjinat e Forumit ekonomik botëror u zotua se Maqedonia do të riemërtoj aeroportin dhe autostradën që e mbanin emrin Aleksandri i Madh. Cipras nga ana e tij, si gjest të vullnetit të mirë, theksoi se Greqia është gati të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Maqedoninë për integrim në Bashkimin Evropian dhe për të rritur tregtinë. Ai fillim, në dukje naiv, kulmoi me marrëveshjen e Prespës që këto ditë, pas një procesi të vështirë, po pret të ngritët edhe “pengesa” e fundit – ratifikimin në Parlamentin grek, shkruan Nezavisen Vesnik, transmeton Portalb.mk.

Për këto arsye në Davos, i cili pashmangshëm zgjon asociacione për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar midis dy vendeve, i cili ndërkombëtarisht konsiderohet si sukses i jashtëzakonshëm, këtë vit nuk do jetë edhe Cipras.

Pas një pushimi disa ditësh për skijim në Gjermani, nesër në Davos do të udhëtojnë kryeministri maqedonas Zaev, i përforcuar me zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike Koço Angjushev dhe ministrin e ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Deri dje, agjenda e delegacionit maqedonas ende nuk ishte e specifikuar, për atë se në cilat nga qindra seancat e planifikuara do të merr pjesë. Ajo që dihej ishte se në kuadër të samitit të Zaev do të ketë takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe euro-komisionarin për zgjerim Johanes Han.

Secili takim, madje edhe më i shkurti në poligonin e elitës botërore politike dhe të biznesit, sipas ekspertëve, gjithmonë bartë me vete diçka që kontribuon në realizimin e temave të caktuara, të cilat kanë gjithsesi kanë rëndësi të caktuar për vendet. Besohet se përveç për qëllimet ekonomike, do të diskutohet edhe për ato të politikës së jashtme – në radhë të parë për integrimet evropiane.

Delegacioni maqedonas, sipas njërit grup, mund ta paraqesë Maqedoninë para investitorëve të mundshëm si vend i cili është para portave të NATO-s, i cili ofron siguri afatgjate të kapitalit të secilit. Ekonomistë tjerë, besojnë se Forumi ekonomik botëror është platformë e mirë për bisedime me liderët botërorë dhe përfaqësuesit e kompanive më të fuqishme, por që Maqedonia nuk duhet të ketë pritshmëri të mëdha.

“Vërtetë, Zaev dhe Cipras u takuan për herë të parë në margjinat e forumit ekonomik në Davos. Megjithatë, forumi nuk është e destinuar për takime politike të këtij lloji, megjithëse atëherë ai takim ishte prezantuar si i tillë. Ishte, padyshim, një skenar i përgatitur dhe i dakorduar më parë. Davos është vendi ku takohen lojtarë të rëndësishëm në botë, kryesisht liderët e korporatave më të mëdha. Një vend ku ata duhet t‘ju shohin dhe, nëse ke diçka për të thënë, t’ju dëgjojnë”, thotë eksperti i të drejtës së biznesit dhe i tatimeve, Goran Rafajllovski.

Atje, sipas tij, nuk mund detajisht të specifikohen zgjidhjet për probleme të caktuara, por mund të përcaktohen drejtimet se kah do të lëvizë ekonomia botërore.

“Çdokush mund të paraqesë vizionet e tyre, por duhet të keni program ekonomik dhe strategji të qëndrueshme. Për të pasur justifikim, duhet të paraqisni diçka, e që për ne nuk vlen. Ja, të themi, do të takoni njerëz nga sektori i energjisë. Cila do të ishte oferta jonë ?! Në, për fat të keq, me dekada po merremi me dramën e energjisë “Çegren” dhe “Galishte”, e cila bëhet vërtet e mërzitshme për të gjithë publikun”, ironizon Rafajllovski.

Në vendpushimin dimëror, elita botërore tashmë po mblidhet përpara fillimit zyrtar të sotëm, ku sipas disa vlerësimeve, duhet të mblidhen më shumë se 3.000 pjesëmarrës nga 115 ekonomi botërore. Tema e Forumit katër-ditor është “Globalizimi 4.0: Formësimi i arkitekturës globale në kohën e revolucionit të katërt industrial”, i cili synon të nxjerrë në pah rritjen e pabarazisë, rritjen e populizmit dhe nacionalizmit dhe ardhjen e epokës së automatizimit ose “revolucionit të katërt industrial”.

Forum i këtij viti është duke u mbajtur në kushte të fluktuimit në tregun e kapitalit, pasigurisë së përgjithshme, për shkak të ngadalësimit të rritjes globale, luftërave tregtare, “Bregzitit”. Brenda një viti, nga forumi i fundit, siç theksojnë mediat  botërore, SHBA dhe Kina kanë instaluar tarifa të ndërsjella për import të mallrave me vlerë 250 miliardë dollarë dhe 110 miliardë dollarë, ndërsa në Uashington aktualisht në fuqi është bllokada financiare për shkak të përplasjes politike për financimin e murit të diskutueshëm në kufirin me Meksikën. Niveli i forumit këtij viti është ulur deri-diku me anulimin e pranisë së disa liderëve botërorë. Presidenti Tramp, i cili është kundër marrëveshjeve shumëpalëshe, e anuloi vizitën në Davos para tre ditësh, ndërsa më herët këtë e bëri presidenti i Francës, Emanuel Makron, zyrtarisht, siç shkruajnë mediat, për shkak të kalendarit të plotë, por jo-zyrtarisht për shkak se pjesëmarrja e tij në takimin me elitën botërore do të mund ta dëmtonte besueshmërinë e tij në dialogun e iniciuar me qytetarët.

Delegacionin kinez, nga ana tjetër, do ta kryesojë nënkryetari Uang Çishan, e jo presidenti Shji Gjiping, ndërsa është anuluar edhe pjesëmarrja e kryeministres britanike Tereza Mej, e cila në vendin e saj po bën përpjekje për të siguruar konsensus për “Bregzit.” Megjithatë, në mesin e tre mijë pjesëmarrësve do të ketë një numër të madh liderësh botërorë. Në mesin e dhjetëra krerëve të shteteve dhe qeverive, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe kryeministri japonez Shinzo Abe. Në forum do të marrin pjesë edhe personat udhëheqës të Kombeve të Bashkuara, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Tregtisë.

Vitin e kaluar në Davos, ku njerëzit e zakonshëm mund të ëndërrojnë të qëndrojnë (mega-pasanikët praninë e tyre, sipas CNN, e paguajnë me 40.000 dollarë) u zhveshën për herë të parë shumë të vërteta dhe u ngritën publikisht shumë tabu-tema. Kurrë më parë, me sa duket, nuk ka pasur boshllëk aq të madh mes atyre që marrin pjesë në konferencë dhe botës reale të cilës i përket pjesa më e madhe të popullsisë, madje edhe në vendet perëndimore me zhvillim të lartë. Pikërisht kjo pabarazi dhe kapitali i shpërndarë padrejtësisht në botë, ku tetë për qind të njerëzve më të pasur, posedojnë 50 për qind të pasurisë globale ishte një nga temat kryesore, ndërsa disa individë haptazi e promovojnë nevojën për decentralizim të kapitalit dhe fuqisë si e vetmja mënyrë për të dalë nga situata në të cilën gjendet njerëzimi.

Forumi ekonomik botëror u themelua në vitin 1971 nga gjermani Klaus Schwab, profesor i ekonomisë, dhe tema e takimit të parë ishte si të miratohet mënyra amerikane e menaxhimit. Ai në vigjilje të tubimit tha se globalizimi e ka arritur kulmin, por që ka shkaktuar rritje të pabarazisë në botë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button