Shqipëri, ka hyrë në fuqi ligji për ndalimin e lojërave të fatit
Nga fillimi i këtij viti në Shqipëri ka filluar të zbatohen ndryshimet ligjore për ndalimin e lojërave të fatit në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarisht nga data 1 janar 2019, është bërë ndërprerja e veprimtarisë së lojërave të fatit, sipas ligjit të miratuar në tetor të vitit të kaluar.
Organizatorët e kategorive “baste sportive”, “baste për garat në pistë” dhe “lojërat elektronike në distancë” nga shoqëri vendase apo të huaja kishin të drejtë të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018, ndërsa duke filluar nga data 1 janar këto veprimtari janë të ndaluara.
Sipas ndryshimeve ligjore, organizimi, zhvillimi dhe ndërmjetësimi i lojërave të fatit, basteve sportive dhe lotarisë është përgjegjësi e shtetit.
Gjithashtu ndalohen edhe reklamat audiovizive për bastet sportive gjatë transmetimit të aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kujtojmë se më 25 tetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi shtesat dhe ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, ku një ndër objektivat kryesore të këtyre ndryshimeve ishte parandalimi i varësisë ndaj lojërave të fatit, basteve dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për një luftë efektive kundër kësaj varësie.