Ndryshojnë rregullat në Australian Open
Ndeshjet në kategorinë e meshkujve në turneun e parë të sivjetshëm Grand Slam, Australian Open, do të mund të kenë një pauzë dhjetë minutëshe, nëse temperaturat e ajrit do të arrijnë në nivele të rrezikshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Organizatorët kanë publikuar politikat e reja gjatë të nxehtit ekstrem, alarmin për të cilin e ngritën temperaturat e vitit të kaluar, të cilat në kohën kur u mbajt turneu, në hije ishin 40 gradë Celsius.
Një pauzë prej 10 minutash ka qenë në fuqi në kategorinë e femrave.
Drejtori i turneut, Craig Tiley, i cituar nga “ABC News”, ka thënë se shëndeti i lojtarëve është “prioritet mbi prioritete”.
Organizatorët hynë në telashe me tenistët vitin e kaluar, duke këmbëngulur të mbrojnë politikën e tyre të të nxehtit, pasi disa tenistë, përfshirë kampionin e gjashtëfishtë, kritikuan vendimin e Australian Open për të mos ndërprerë lojën gjatë temperaturave ekstreme.
Sipas politikës së re, nëse Shkalla e të Nxehtit e Australian Open ngjitet në 4.0, atëherë do të lejohet një pushim 10 minutësh.
Australian Open mbahet në Melbourne dhe fillon më 14 janar.