Transporti publik në Shkup, autobusë që u ikin qytetarëve (VIDEO)

Përveç mungesës së kartelave “Skopska” deri më 10 janar të 2019-s, një problem tjetër që e karakterizon transportin publik në Shkup është edhe mosndalimi i autobusëve në stacione. Qytetarët dhe vozitësit ankohen, të parët sepse presin nga 30 minuta për një autobus, kurse të dytët për shkak se kjo shkakton mbipopullim të autobusëve të tyre. Nga NTP-ja thanë se parregullsitë duhet të denoncohen me video, fotografi apo numër të tabelave të autobusëve në shërbimet adekuate, transmeton Portalb.mk.

Dje në stacionin e autobusëve në bulevardin “Partizanski Odredi” (Aradhet Partizane), një autobus privat me numër 19-të, edhe pse i radhitur në korsinë për ndalje-nisje, nuk u ndal në pjesën e paraparë, por dy metra më poshtë, prapa një veture të parkuar, por larg qytetarëve që e prisnin në stacion, ndërkaq qytetarët pas një copë vrapimi, u gjenden përballë dyerve të mbyllura. Autobusi nisi, kurse qytetarët vazhduan pritjen, por me gjendje të tensionuar emocionale.

“Kjo nuk është normale. I çmendur. Nuk na mori. Ka 20 minuta që po presim. Ja të gjithë jemi duke e pritur këtë autobus”, tha një qytetare në stacion pasi iku autobusi.

Një tjetër qytetare, po ashtu në gjendje të tensionuar tha: “Prej 9 të mëngjesit jam jashtë, asnjëherë nuk vijnë në kohë, dhe kur vijnë, nuk ndalen. Askush nuk ndërmerr asgjë, dhe ky problem është vetëm me 19-tën”.

7 minuta më vonë, nga larg stacioni u shfaq edhe një tjetër autobus, por ky as nuk u radhit në korsinë e autobusëve. Edhe pse kishte udhëtarë, kishte vende të zbrazëta dhe ishte në orar të punës, nuk u ndalë në stacion. Kjo edhe më shumë i irritoi qytetarët. Ata tregonin se kjo nuk po ndodh vetëm sot, por për çdo ditë.

“Nuk është vetëm sot ky problem, kjo ndodh për çdo ditë. Ne lëre që paguajmë kartela, duhet të presim nga 30 minuta për një autobus”, tha një tjetër qytetare.

Erdhi autobusi i tretë. Përveç se u ndal, mblodhi të gjithë qytetarët, dhe kjo bëri që shumica të rrinë edhe në këmbë. Që në hyrje, qytetarët nisën sulmin verbal ndaj tij: “Çfarë është kjo, pse nuk ndaleni, ja tash ne do të duhet edhe të durojmë tollovinë këtu”.

Megjithatë, edhe vozitësi ishte i pakënaqur, dhe e ndjente veten si të mashtruar në këtë situatë.

“Unë a i çmendur jam që ndalem në stacion dhe i mbledh të gjithë udhëtarët. Pse nuk janë ndalë ata”, tha vozitësi.

Parregullsitë për autobusët 19 paraqiten në numrin: 3066 175

Edhe pse vozitësi i autobusit “shpëtimtar” tha se parregullsitë e transportit publik duhet të paraqiten në NTP, kjo nuk është adresa e duhur. Parregullsitë, konkretisht për autobusët me numrin 19 duhet të paraqiten në numrin 02 306 6175. Numri duhet të shkruhet në autobusë, por i njëjti nuk u pa askund.

“Për parregullsi duhet të paraqiteni në kontrollin e brendshëm në NTP në numrin fiks 3174 264/ lokal 174 si dhe me e-mail: [email protected], me mesazh në adresën në “Facebook” “JSP Skopje” dhe në uebfaqe në pjesën e ankesave: KËTU që të vlerësohet rasti”, njoftuan nga NTP-ja.

Adresat e lartshënuara shërbejnë për autobusët publik, kurse nëse ankesa ka të bëj për autobusët privat, atëherë duhet të paraqiteni në qendrën dispeçere në numrin 2602 015 dhe në 3066 175. 

Për autobusët 19, 20 dhe 22 përgjegjëse është qendra dispeçere 3066 175, ndërkohë që numri 2602 015 është për autobusët me numrat tjerë.

Çfarë pas denoncimit të parregullsive?

Meqë nga NTP-ja thonë se parregullsitë duhet të denoncohen, mbetet e paqartë se çfarë dhe kush duhet të ndërmarrë masa pas denoncimit, pasi që problemet janë aktuale që kur autobusët privat u integruan në rrjetin e transportit publik.

Në lidhje me këtë Portalb.mk është duke pritur përgjigje për atë:

  • Se cilat janë masa që e ka ndërmarrë apo i ndërmerr ndaj deoncimit të parregullsive?
  • Sa parregullsi janë denoncuar?
  • Të çfarë natyreje janë denoncimet?

Për këtë të fundit, nga qendra dispeçere njoftuan se denoncimet janë për mbipopullimin e autobusëve dhe mosndalimin e tyre në stacionet e autobusëve.

“Denoncime ka, por nuk e dimë numrin e saktë, sepse nuk mbajmë evidencë të tillë. Zakonisht janë të kësaj natyre, për mosndalimin e autobusëve në stacione”, thanë nga Qendra Dispeçere e autobusëve me numrin 19, 20 dhe 22.

Problemi me autobusët 19-të nuk është vetëm mosrregullshmëria, por edhe vjetërsia e tyre dhe mungesa e klimës, e cila bën që verës të jetë shumë vapë, kurse dimrit shumë ftohtë.

LEXO: Gjatë ditëve të festave, autobusët do të qarkullojnë me orar të reduktuar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button