Nga sot Kosova pa mbikëqyrje të pavarësisë

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, sot edhe formalisht do t’i japë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke kaluar më shumë përgjegjësi dhe sovranitet tek institucionet e saj.

Të premten Parlamenti i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që mundësojnë përfundimin formal të mbikëqyrjes dhe mbylljes së zyrës civile ndërkombëtare, e cila ka mbikëqyrur deri tash zbatimin e planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në bazë të të cilit u shpall pavarësia e Kosovës.

Përfundimi i këtij procesi që po vlerësohet me rëndësi historike nga institucionet e Kosovës, nuk shihet njësoj nga lëvizja Vetëvendosje, kryetari i së cilës Albin Kurti, nëpërmjet një letre drejtuar ambasadorëve të vendeve kryesore euro perëndimore,  ka theksuar se, pas 10 shtatorit asgjë nuk do të ndryshojë. Në letër thuhet se pas asaj date Kosova do të vazhdojë të strehojë brenda kufijve të saj misione ndërkombëtare të bazuara në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe në rastin më të mirë është e definuar si ‘e paanshme ndaj statusit’.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, ndërsa zyra civile ndërkombëtare mori përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të saj. Pak ditë me vonë, një grup vendesh që njohën pavarësinë e saj themeluan Grupin Drejtues që sot do të përmbyllë mbikëqyrjen. 

Plani i zotëri Ahtisaari nuk është zbatuar në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e shtetit të Kosovës, i cili vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

Plani parashihte krijimin e një komune të re në veriun e Mitrovicës, që nuk u zbatua deri tash. Situata në atë zonë ka bërë që të shtohen zërat për mundësinë që çështja të jetë temë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të rifillojnë në vjeshtën e këtij viti dhe atë në nivel më të lartë politikë.

Prishtina zyrtare ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar me Beogradin për të gjitha çështjet e hapura, po jo edhe për rregullimin e brendshëm juridik. Kjo gatishmëri është kundërshtuar nga një pjesë e opozitës e cila kundërshton bisedimet politike me Beogradin.

Edhe organizata joqeveritare në Kosovë kanë bërë thirrje që përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë të mos shënojë edhe fundin e angazhimeve për zbatimin planit të zotëri Ahtisaari dhe çështja e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, të zgjidhet pikërisht në kuadër të këtij plani./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button