Emërtimi i shkollës në ‘Adem Jashari’, absurd!?

Ende mbetet çësjhtje e hapur riemërtimi i shkollës fillore “7 Marsi” në “Adem Jashari” e cila gjendet në Çair të Shkupit.  Drejtori ka dhëne propozimin, i cili ka shkaktuar pakënaqësi në partinë e Ali Ahmetit sepse siç thonë festa e 7 Marsit, gjegjësisht dita e mësuesit nuk duhet nënvlerësuar.

Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani,  thotë se emri i shkollës nga “Dame Gruev” në 7 Marsi u ndërrua me kërkesë të Këshillit të partisë, ndërsa ideja për riemërtim në ‘Adem Jashari’, mbetet vetëm kërkesë e drejtorisë së shkollës.

“Nuk kemi informacion për ndërrimin e 7 Marsit, në fakt edhe nuk është ndërruar emri, mirëpo ka propozim prej drejtorit të shkollës deri tek komuna, por aq sa kemi informatë Komuna nuk e ka shqyrtuar një ndryshim të tillë ashtu që mbetet 7 Marsi që është emri të cilin ne e kemi propozuar si parti dhe e kemi realizuar në një mënyrë. Ashtu që deri tash kjo është vetëm një kërkesë prej shkollës” tha Osmani.

Por nga ana tjetër drejtori i shkollës thotë se kërkesën e kanë dorëzuar në Komunë.

“Është e vërtetë se kemi dorëzuar kërkesën për ndryshimin emrit të shkollës deri në Komunën Çair. Kjo kërkesë vjen me iniciativë të këshillit të prindërve, të cilën e kanë kaluar këshilli drejtues i shkollës, ndërsa iniciativa në fjalë daton prej vitit 2004. Emri nuk është ndryshuar, ende e mbajmë emrin e mëparshëm, 7 Marsi” tha Halil Palloshi, drejtor i shkollës fillore “7 Marsi”.

Muzafer Rexhepi, përgjegjës për arsim fillor në Komunën Çair, thotë se një kërkesë e tillë ka arritur, ndërsa akoma nuk është shqyrtuar.

“Kërkesa ka arritur, por ende komuna as nuk e ka refuzuar e as nuk ka vendosur asgjë. Kjo di të jetë e qartë kur ky propozim të hyjë në rend dite në Këshillin e Komunës. Nuk e di kur kjo pikë është në rend dite në Këshillin komunal pasi nuk jam anëtarë i këshillit” tha Rexhepi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button