LDK-ja e VV-ja i tregojnë BE-së se Ekipi i Unitetit për dialog s’ka unitet

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë dorëzuar Zyrës së BE-së në Kosovë një letër të përbashkët të hartuar nga dy shefat e Grupeve Parlamentare, Avdullah Hoti dhe Glauk Konjufca në lidhje me zhvillimet lidhur me dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Letra, sipas një postimi në Facebook të VV-së, i drejtohet Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherinit, dhe Komisionerit Johannes Hahn, transmeton KTV.

Në letër, dy subjektet politike opozitare thonë se zhvillimet e fundit dhe komunikimi zyrtar dhe publik mes BE-së dhe Kosovës, në lidhje me dialogun mes dy vendeve, i kanë ndjekur me shqetësim. Ndërsa ia bëjnë me dije dy zyrtarëve të BE-së se janë dy partitë më të mëdha opozitare në Parlamentin e Kosovës, me 44 deputetë dhe se fuqia e votës së tyre përbën mbi 50 për qind të votave të përgjithshme të elektoratit.

“Lidhur me letrën tuaj të datës 17 dhjetor 2018, dërguar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, jemi befasuar shumë kur lexuam fjalinë në vijim: ‘Me vendosjen e ekipit të unitetit me një mbështetje të gjerë nga partitë në qeveri dhe në opozitë…’. Ju lutemi të keni parasysh se ne, Opozita kryesore që përfaqëson shumicën e elektoratit të vendit, siç shpjegohet më lartë, nuk kemi votuar për këtë ‘ekip të unitetit’ të cilit i referoheni. Për pasojë, nuk ka ‘mbështetje të gjerë’ për këtë ekip, siç shkruani ju në letrën tuaj. Kemi detyrimin ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, për ta nxjerr në pah këtë realitet”, thuhet ndër të tjera në letrën e LDK-së dhe VV-së dërguar Mogherinit dhe Hahnit.

Dy partitë opozitare, më tej thonë se mbesin të përkushtuara për të zgjidhur të gjitha çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut, “sipas letrës tonë të dërguar më 12 shtator 2018”.

“Jemi shumë të interesuar për një dialog mes dy vendeve tona që largohet prej paqartësisë dhe shkon drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke nënkuptuar njohjen reciproke. Kemi besimin se ju dhe institucionet e BE-së do t’i merrni parasysh shpjegimet tona, dhe mirëpresim forcimin e bashkëpunimit tonë në dobi të integrimit të mëtejshëm të Republikës së Kosovës në BE”, theksohet në letrën e LDK-së dhe VV-së.

Hoti e Konjufca, në letër, thonë se “mbështetja masive e qytetarëve për dy partitë tona politike është rikonfirmuar vazhdimisht, dhe është në rritje e sipër, sipas një sërë sondazhesh të opinionit publik që janë zhvilluar gjatë këtij viti”.

Image

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button