Rëndohet bilanci i viktimave në Indonezi, paralajmërim për tjetër cunam
Indonezia është në alarm për një tjetër cunami që mund të godasë vendin, ndërsa numri i të vdekurve nga një valë e madhe që goditi vendin të shtunën, ka arritur në 373.
Zyrtarët kanë paralajmëruar njerëzit që jetojnë pranë Anak Krakatau për të qëndruar larg plazheve për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme në mal të një vullkani, i cili besohet se mund të ketë shkaktuar cunamin, transmeton Ora.
Agjencia meteorologjike e Indonezisë konfirmoi rënien nënujore të një pjese të vullkanit që shkaktoi një valë vdekjeprurëse 10 metra të lartë që goditi plazhet popullore të Sumatrës jugore dhe majën perëndimore të Javës.
Sutopo Purwo Nugroh, nga Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit paralajmëroi se numri i të vdekurve nga fatkeqësia e së shtunës “do të vazhdojë të rritet”, ndërsa kërkimet për trupat e pajetë vazhdojnë.
Të paktën 1,000 njerëz u plagosën dhe gati 12,000 banorë bregdetarë u detyruan të evakuoheshin me forcë në toka më të larta, pas paralajmërimeve se mund të ketë cunam tjetër.