Politikani që kërkonte udhë të hekurit

Politikani i zgjuar, Reshid Pasha (1863 – 1920), ua kishte kërkuar autoriteteve osmane ndërtimin e një hekurudhe, e cila do ta lidhte Shkupin, Tetovën dhe Gostivarin.

Revista “Lirija” e Selanikut, e drejtuar nga  Lumo Skendo (Mid’hat Frashëri), shkruante më 6 qershor të vitit 1909 se Reshid Aqif Pasha kishte kërkuar ndërtimin “e udhës’ së hekurtë nga Ysqypi, Kalkandeleni dhe në Gostivar”.

Pashai shqiptar, madje, hiqte dorë nga posti i ministrit të Brendshëm në këmbim të ndërtimit të “udhës së hekurit”. Si ministër mund të bënte karrierë personale, ndërkaq me ndërtimin e hekurudhës do të bënte vepër të përjetshme për vendin e tij.

Dhematësi (gjeometri) Eshref Frashëri shkruan për këtë nismë në shkrimin: “Udha e hekurt e Tetovës dhe Reshit Aqif pasha”, që u botua në revistën “Lirija”, më 13 qershor 1909.

Eshref Frashëri kishte studiuar veçantitë gjeografike dhe ekonomike të Pollogut dhe Kosovës, madje ishte i pari që kishte propozuar ndërtimin e një hidrocentrali në Tetovë.

Frashëri flet me respekt për pashain, që, sipas tij, ishte i “dërguar prej gjithë Shqiptarëvet dhe me nder të madh në Shqipëri”.

“Gjithë bota vajtoheshin pse ky zot s’do ta mare këtë bukë kaqë të madhe që po i luten? Pse s’do të bëhet Ministror i punëvet të brençme?… U – muar vesh qëllimi i lartër i këti njeriut të madh. Ky zot do t’i bëjë një të mirë shumë të madhe dhe të përjetshme vendit. Ky zot i mençmë po e tregon se tregtari është m’i lumtur se një ministror, dhe tregërija m’e e pëlqyer se pun’ e mbretërisë. Qoftë i nderuar për jetë”.

Shkupi kishte lidhje hekurudhore me Selanikun nga viti 1873, kurse linja deri në Ohër u zgjerua pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ndërmjet viteve 1915 dhe 1918.

Pashai shqiptar mendonte se hekurudha do të mundësonte qarkullimin e mallrave, përmirësimin e mirëqenies së banorëve, ndalimin e mërgimit dhe ngritjen kulturore të banorëve të rajonit të Pollogut, që tradicionalisht është dalluar për bukuritë natyrore.

“Kur isha dhematës (myhendis) në Kosovë u ndothsha në udhët e karrocavet të Gostivarit dy vjet me radhë. Të rrallë vende kanë bukurin’ e fushës së Tetovës. Dyke vajtur në Gostivar më të djathtë është Shar’ i lartët me majat’ e bardha prej dëborës së përjetshme; (nën) rrezet dhe pllajavet të këti mali janë radhosur fshatrat plot me burra trima, punëtorë dhe besnikë”, shkruan Eshtref Frashëri.

Dhematësi besonte se kur do të bëhej “udh‘ e hekurt e kazasë së Tetovës, Gostivarit, Pizrenit, Rekës, Dibrës”, atëherë njerëzit nuk do të kishin nevojë të largoheshin nga vendlindja.

“Do të hapen mjeshtrit’ e vendit, do të punohen metale dhe bota do të gjejnë punë në vent të tyre. Sharri është plot me metale po pa bërë udh’ e hekurt si munt të nxiren dot se ‘s’e nxjerr bara qiranë’”, shkruan Frashëri.

Reshid Aqif Pasha, si politikan largpamës, e dinte se posti politik ishte i përkohshëm, kurse veprat mbeteshin të përjetshme. Ekonomia e zhvilluar, që siguron mirëqenie dhe jetë të dinjitetshme, qëndron mbi politikën ditore dhe postet e përkohshme.

Reshit Aqif Pasha ka qenë ministër i Punëve të Brendshme në Perandorinë Osmane. Ai ishte i biri i Mehmed Akif Pashë Tetovës (1822 – 1893), i njohur si Akif Arnavud Pasha ose Kalkandereli Mehmed Akif Pasha.

Reshid Pasha e kishte ndihmuar financiarisht edhe Normalen e Elbasanit.

“Ndihmën që i bëri Reshid Aqif Pasha (ministror i vjetër i punërave të brendshme), prej 20 lirash për shkollën Normale të Elbasanit, shoqëria “Përparimi” e priti me gaz të madh”, thuhej në një shkrim të gazetës “Korça” më 1909.

Pashai shqiptar njihet në literaturën botërore si politikani i parë që kundërshtoi krimet ndaj armenëve, sepse besonte se njeriu besimtar duhej të ishte i drejtë dhe i mëshirshëm, siç ishte vetë ai.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button