Arifi: Taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet as nëse lidhet me vazhdimin e dialogut
Ai tha në RTK presioni që po i bëhet Kosovës do të ishte mirë që adresë ta kishte Serbinë e cila nuk i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel. Sa i përket dialogut teknik, ai tha se është klinikisht i vdekur.
Taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe ishte e pa shmangshme, për shkak të veprimeve te Serbisë por ajo nuk është e drejtuar ndaj qytetarëve serb te Kosovës, të cilët po vazhdojnë të instrumentalizohen nga Beogradi. Kështu tha shefi i delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë dhe këshilltari politik i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi.
Duke komentuar reagimet lidhur me taksën, Arifi tha se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia ta njoh Kosovën e pavarur, edhe përkundër presionit dhe thirrjeve ndërkombëtare si dhe ultimatumeve të Serbisë. Sipas tij adresë për reagim të BE-së,zonjës Mogerini dhe presioneve të tjera ndërkombëtare do të duhej të ishte Serbia e jo Kosova.
Arifi tha se qeveria e Kosovës nuk është konsultuar me askënd nga miqtë ndërkombëtar për taksën, derisa e pranoi se nuk do të jetë e lehtë të mbahet kjo masë por tha se qeveria është e vendosur për këtë.
Vendimi për taksën ka ardhur nga qeveria e Kosovës, tha këshilltari i kryeministrit Haradinaj, dhe se për marrjen e këtij vendimi sipas tij nuk do të duhej të kishte gare politike mes partnerëve të koalicionit.
Shefi i delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë tha se dialogu teknik ka vdekur klinikisht për fajin e Serbisë e cila nuk e ka zbatuar asnjë marrëveshje të arritur.
Arifi tha se vetëm nga moszbatimi i marrëveshjes për energjinë Kosova ka humbur nga 30 milion euro në vit, ndërsa 12 milion euro janë humbur donacione për ndertimin e pikave të përbashkëta kufitare.
Shefi i dialogut teknik me Serbinë tha se taksa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet as nëse kjo lidhet me vazhdimin e dialogut në mes të dy vendeve.