Ndizet flakadani në “Londra 2012”

Ceremonia solemne e hapjes së Lojërave të 30-ta Olimpike “Londra 2012”, e titulluar ”Ishulli i mrekullive” ka filluar në orën 22:00. Miliarda njerëz ishin pranë ekraneve televizive, kurse 62 mijë njerëz kishin fatin që këtë ceremoni ta ndjekin nga tribunat e stadiumit olimpik në Londër. Garat e para kanë filluar të mërkurën, kur u zhvilluan ndeshjet e turneut olimpik të futbollit, derisa sot janë zhvilluar kualifikimet në shigjetari.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Kosova nuk do të marrë pjesë në këtë Olimpiadë, pasi Komiteti Olimpik i Kosovës nuk është ende anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, por në stadium me ekipin olimpik shqiptar do të defilojë edhe xhudistja jonë e talentuar, Majlinda Kelmendi.

Hapja solemne filloi me goditjen e kambanës së madhe olimpike, të cilën e bëri fituesi i garës prestigjioze të çiklizmit ‘Tour de France’, Bredli Vigins, kampion i trefishtë olimpik. Më pas në skenë doli kori i fëmijëve, të cilët kënduan këngë karakteristike për katër kombet të cilat e përbëjnë Mbretërinë e Bashkuar. Këtë pjesë e karakterizoi edhe lufta për të drejtat e punëtorëve dhe e barazisë së femrës.

Ceremonia vazhdoi të përcjellë historinë e njerëzimit, duke arritur deri te grupi i ushtarëve nga Lufta e Parë Botërore, derisa më pas njerëzit me kapele bën nderime për të gjithë ata që humbën jetën gjatë konflikteve prej vitit 1914 deri në vitin 1918.

Më pas të gjithë drejtohen drejt qendrës së fushës, ku djemtë dhe vajzat nëpërmjet daulleve të vogla krijojnë ato të mëdha. Më pas vjen varka me imigrant nga nënkontinenti indian pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, pas kësaj pike nga fusha ngrihen në ajër pesë rrathët olimpikë.

Pas kësaj në skenë paraqitet agjenti i fshehtë, Xhejms Bond (rolin e të cilit e luan Daniel Krejg) i cili hidhet me parashutë nga helikopteri për të simbolizuar hyrjen në stadium të mbretëreshës Elizabeta II.

Në pikën tjetër të ceremonisë morën pjesë 1200 vullnetarë, të cilët janë të punësuar në shtëpitë e shëndetit në tërë Britaninë, duke përfshirë edhe pacient nga spitali i fëmijëve “Ormond Strit”. Kjo pjesë paraqet dy arritje të mëdha të Britanisë, literaturën e shkëlqyeshme për fëmijë dhe shërbimin kombëtar të shëndetësisë, ngase në Britani askujt nuk guxon t’i mohohet mbrojtja shëndetësore. Pas vallëzimit fëmijët shtrihen në shtretër për të fjetur nën recitimin e JK Roulingut, shpëtimtares së Hari Poterit. Gjithçka përfundon me ardhjen e dados së preferuar Meri Popins.

Kjo mbrëmje magjike nuk mund të kalonte pa një tjetër britanik të famshëm, aktorin e komedisë, Roan Etkinson, i njohur në gjithë botën si Mister Bin. Kësaj radhe ai u përpoq të luajë në piano për instrumentalin e filmit “Qerret e zjarrta’, që në mënyrën më të mirë e përshkruan shpirtin olimpik nën përcjelljen e orkestrës simfonike të Londrës.

Pas kësaj vjen periudha moderne, ku gjithçka fillon në një shtëpi të zakonshme, ku nëna sjell ushqimin, babai shikon televizorin, derisa djali luan me videolojëra, kurse vajza bëhet gati për vallëzimin e së shtunës. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button