Maleski: Ideja për president konsensual është e mirë pasi që bashkon
“Më është bërë nder i madh, por e njëjta është vetëm një ide dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në vijim”, kështu komenton profesori Denko Maleski, emri i të cilit u lakua në media për kandidat të mundshëm për president konsensual nga ana e partnerëve qeveritar, njofton Portalb.mk.
“Për herë të parë një parti ka dalë me kësi ide për kandidat konsensual për president. Kjo ide është e mirë pasi që bashkon. Duhet të shihet se si do të jetë reagimi i partive tjera, a janë të gatshme duke e pasur parasysh se Maqedonia ndodhet në një situatë specifike dhe delikate, kur janë të nevojshme vendime të përbashkëta në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe filliin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, a janë të gatshme që nëpërmjet një bashkimi më ndryshe se sa asaj ta zakonshmes gjatë zgjedhjeve tona. E gjithë kjo i hapë këto mëdyshjet e këtilla, ngelemi që të shohim se çfarë do të dalë nga kjo ide për president konsensual dhe sa i gjerë do të jetë ky konsensus”, thotë për Portalb.mk Maleski.
Profesori Maleski thotë se ende nuk ka biseduar me asnjë nga partitë për këtë çështje.
Emri i Maleskti u përfol nëpër media për kandidat të mundshëm konsensual nga partnerët qeveritar pasi që dje lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se i njëjti i plotëson të gjitha standardet për president, gjegjësisht është propozim i pranuar për ta, megjithatë e njëjta duhet të shqyrtohet.
LSDM-ja, ende nuk ka një qëndrim për kandidatin e mundshëm konsensual, ashtu sikur Aleanca për Shqiptarët, të dy krahët e Lëvizjes BESA, ndërkaq për RDK-në, Maleski është personalitet i respektuar dhe përvoja dhe maturia e tij është e nevojshme për Maqedoninë.
Kush është Denko Maleski?
Ka lindur në vitin 1946, është politikan, analist politik, ministër i parë i Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe profesor i rregullt në Fakultetin Juridik në Shkup.
Ligjëron politikën ndërkombëtare dhe juridikun, por edhe sistemin politik modern. Në periudhën 1990-1991, ka mbajtur ligjërata në studimet e rregullta dhe postdiplomike në Universitetin Bouling Grin, Ohajo të SHBA-së. Në vitin 1985 është zgjedhur për dekan të Studimeve Interdisiplinore për Gazetari. Nga viti 1997, është udhëheqës i Studimeve Postdiplomike për të Drejtë Ndërkombëtare dhe Politikë Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në Shkup. Nga viti 1991 deri në vitin 1993, ka qenë ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, ndërkaq nga viti 1993 deri në vitin 1997 a qenë përfaqësues i përhershëm i Maqedonisë në Kombet e Bashkuara. Maleski është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Ndryshe, presidentit Gjorge Ivanov i skadon mandati më 12 maj të vitit 2019-të, ndërkaq zgjedhjet presidenciale duhet të shpallen prej 60 deri më 90 ditë përpara skadimit të mandatit, kjo i bie që prej në mes të shkurtit mund të shpallen zgjedhjet.
Që nga pavarësimi i Maqedonisë, Ivanov është presidenti i katërt. Paraprakisht, presidentë kanë qenë Kiro Gligorov, Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski.