Për dallim nga Ivanovi, Pendarovski paralajmëroi se do të ketë ueb-faqe edhe në gjuhën shqipe

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për dallim nga paraardhësi i tij, Gjorge Ivanov, ueb-faqen e tij zyrtare, përveç në gjuhën maqedonase dhe angleze, do ta ketë edhe në gjuhën shqipe, paralajmërojnë për Portalb.mk, nga Kabineti i Presidentit, njofton Portalb.mk.

“Kabineti i presidentit Pendarovski është në proces të formimit, shpresojmë që e keni parë paralajmërimin e përkohshëm për ueb-faqen e re e cila është në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze. Kabineti i presidentit do të vazhdojë të komunikojë edhe më tej në maqedonisht dhe në shqip, por duke e pasur parasysh dinamikën e kompletimit të ekipit të kabinetit, do të jetë i nevojshëm një periudhë e përshtatjes me qëllim që të sigurohet funksionimi me kapacitet të plotë”, thonë për Portalb.mk nga Kabineti i Pendarovskit.

Pasi e ka marrë funksionin, presidenti Pendarovski ka urdhëruar që ueb-faqja të ripërpunohet. Nëse tani e vizitoni ueb-faqen zyrtare të presidentit, ka një paralajmërim në tri gjuhë, maqedonase, shqipe dhe angleze.

“Faqja e re elektronike zyrtare e presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski është në përpunim e sipër. Për të gjitha aktivitetet e presidentit Pendarovski, mediumet dhe publiku, si edhe deri më tani, do të jenë në kohë të informuar përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të presidentit në rrjetet sociale si dhe nga Sektori për Marrëdhënie me Publikun në Kabinetin e Presidentit”, thuhet në paralajmërimin në ueb-faqe.

Përndryshe, ueb-faqja e presidentit, në dy mandatet e presidentit Ivanov ka qenë vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, duke e anashkaluar atë shqipe.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka ueb-faqe funksionale në 4 gjuhë – maqedonase, shqipe, angleze dhe frënge.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ueb-faqe funksionale në tre guhë – maqedonase, angleze, ndërkaq në shqip nuk është e tëra e përditësuar dhe tekstet publikohen me vonesë.

Te ministritë çështja është e përzier, nga 18 ministritë (përfshirë edhe zv/ministritë të cilat kanë ueb-faqe të tyre), 12 prej tyre, ueb-faqet i kanë në tre gjuhë (maqedonisht, shqip, anglisht), 3 i kanë vetëm në dy gjuhë – maqedonisht dhe anglisht,  2 i kanë vetëm në dy gjuhë – maqedonisht dhe shqip, 1 e ka vetëm në një gjuhë – maqedonisht,

Zv/kryeministritë

Ministritë

Sipas ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve, i cili ka hyrë në fuqi në janar, institucionet obligohen që ueb-faqet e tyre t’i kenë edhe në gjuhën e 20-të përqindëshit (shqipe). Sipas Preambulës së Kushtetutës së RM-së, Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohet barazia e plotë dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë tjera që jetojnë në RM.

Neni 1 i Amendamentit V të Kushtetutës së RM-së përcakton qartë: 

“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen. Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari…”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button