Kosovë: Raporti i EULEX-it dhe “Bllaca 2”

Një raport i përpiluar nga hetuesi i EULEX-it, Gary Fainsworth, është futur si provë materiale në rastin “Bllaca II”.

Madje jo vetëm raporti, por edhe vetë hetuesi amerikan është futur si dëshmitar në këtë rast.

Në raport përfshihen 16 raste të vrasjeve dhe tentimvrasjeve të kryera pas luftës në Kosovë.

Ndonëse kjo u kundërshtua nga pala mbrojtëse, ai u fut si provë dhe Fainsworth u dëgjua si dëshmitar.

Kryetari i trupit gjykues, Torre Tomassen nuk i ka përfillur kërkesat e avokatëve dhe u ka sugjeruar atyre që ta marrin në pyetje si dëshmitar, shkruan “Express”.

Në raportin e përpiluar nga hetuesi amerikan, të gjitha vrasjet e pasluftës tash cilësohen me motive politike. Aty konkludohet se cak ishin zyrtarë të lartë të LDK-së dhe bashkëpunëtorët e regjimit serb. Këtë raport mbrojtja e ka quajtur përpjekje për linçimin e partisë në pushtet dhe rrezik për vëllavrasje.

Ndryshe, burime nga hetuesia e EULEX-it kanë bërë me dije për “Koha Ditore” se është duke u zhvilluar një hetim i gjerë për përfshirjen e SHIK-ut në veprimtari kriminale, nga e cila ka rezultuar një raport që të premten është pranuar nga një trup gjykues si provë materiale në procesin gjyqësor të njohur si “Bllaca 2”.

“Hetimet kanë nisur shumë vjet më parë. Nga to rezulton se shumë krime janë kryer në mënyrë të njëjtë, me mjete të njëjta dhe me motiv të njëjtë”, ka thënë një burim.

Ky raport shpreh dyshime të shumta për përfshirjen e PDK-së në vrasje e sulme të tjera kundër anëtarëve të LDK-së. Ai përmend 26 raste të krimeve, pjesa më e madhe e të cilave viktima ishin anëtarët e LDK-së.

Por, as Lidhja Demokratike e Kosovës, që del të jetë “viktimë”, e as Partia Demokratike ,si “agresor”, nuk kanë reaguar të premten. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button