Kosovë, nuk ka kaluar rezoluta e propozuar nga opozita për dorëheqje të Qeverisë

Nuk ka kaluar rezoluta e propozuar nga opozita në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës “lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”, ku kërkohej dorëheqja e Qeverisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Përkundër pranisë së 61 deputetëve në sallë, në votimin e rezolutës së propozuar nga partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ku u “kërkua dorheqja e Qeverisë së Kosovës për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja”, morën pjesë vetëm 37 deputetë, ku 36 prej votave ishin për ndërkaq një prej tyre abstenim.

Pas kësaj kryesuesi i seancës dhe nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, tha se ky votim nuk është i vlefshëm dhe e ndërprereu seancën.

Seanca e jashtëzakonshme me rend të ditës “Debati parlamentar lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”, ishte kërkuar nga 42 deputetë të partive opozitare, LDK-së dhe LVV-së.

Deputetja Vjosa Osmani nga LDK në fillim të seancës propozoi që në fund të debatit të miratohet rezoluta me një pikë të vetme ku thuhet se “me qëllim të ndërprerjes së çdo përpjekjeje që konteston shtetësinë, subjektivitetin ndërkombëtar dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të cilat duhet ta konsolidojnë dhe forcojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare në përputhje me orientimet e saj gjeopolitike për integrime euro-atlantike”.

Ndryshe në seancë nuk ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjë të cilën e kritikuan disa nga deputetët. Po ashtu në seancë nuk morën pjesë as deputetët nga Lista Serbe, pas vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button