PSP-ja e arsyeton masën e paraburgimit të Janakieskit dhe Bozhinovskit, VMRO-ja sheh lëshime

Prokuroria Speciale Publike (PSP) e sheh të arsyeshme parashtrimin e masës së paraburgimit për të akuzuarit në rastet e saja, Mile Janakieskin dhe Kiril Bozhinovskin, por për partinë opozitare VMRO-DPMNE ato sinjalizojnë lëshimet e bëra nga gjykata e Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

PSP-ja thotë se masa e paraburgimit është parashtruar për shkak se masat e kujdesit nuk munden edhe më tej të sigurojnë të dy të pandehurit.

“Sigurimi i pranisë së dy të pandehurve gjatë kësaj procedure nuk mund të arrihen me masat paraprake parandaluese të caktuara, dhe për këtë arsye ka marrë vendim për shqiptimin e masës së paraburgimit për të dy personat, si masë e domosdoshme për zhvillimin papengesë të procedurës penale dhe sigurimin e pranisë së tyre”, thonë nga PSP-ja.

Por nga opozitarja VMRO-DPMNE-së insistojnë në atë, se parashtrimi i masës së paraburgimit për Janakieskin dhe Bozhinovskin vjen si rezultat i arratisjes së Nikolla Gruevskit.

“Gjykata duhet të lirohet nga trysnia dhe të konstatojë lëshime të bëra gjatë parashtrimit të masës së paraburgimit për Mile Janakieskin dhe Kiril Bozhinovskin. Nuk ka asnjë arsye, nuk ka dëshmi dhe informacion relevant se ato kanë pasur për qëllim të mos i respektojnë masat e kujdesit të cilat iu patën caktuar”, thonë nga VMRO-ja.

Përndryshe, në natën e 13 nëntorit të 2018-s, janë arrestuar ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski, dhe janë dërguar në Burgun e Shutkës.

Arrestimi sipas informacioneve erdhi pasi që Janakieski ka kërkuar nga presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov që të falet, dhe meqë ky i fundit nuk ka shprehur gatishmëri, thuhet se Janakieski ka planifikuar të arratiset.

Të dyve u është përcaktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh për shkak mundësisë që të ikin nga shteti.

Janakieski dhe Bozhinoski janë të përfshirë në rastet e PSP-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button