Komandantët pa kallash

Ajo shpresë që kishim për ndërtimin e një shteti plot barazi, pas shtypjes institucionale të 1990-ve, u përmbys. E nga kjo përmbysje u precipituan komponentë të mbrapshtisë mbarëshoqërore që vazhdojnë të rriten si metastazë deri në palcën e krenarisë sonë shtetërore. Të jetosh në Kosovën e sotme, mbi të gjitha, është një barrë e rëndë. Të qenit qytetar i këtij shteti është një traumë. Të veprosh në këtë xhungël korrupsioni kërkon të kesh lëkurën e trashë dhe dinjitetin e tretur në shenjë konformizmi.

Nuk jemi shoqëri mazohiste, mirëpo falë arsimimit të vobektë nuk arrijmë të jemi kritik ndaj dhembjeve që i shkaktojmë vetes me apatinë, zemërngushtësinë dhe xhelozinë që ngjizen në të menduarit tonë. E pastaj ulemi dhe vajtojmë tragjedinë shoqërore dhe ankohemi duke lëpirë shkumën e kafeve kinse kjo na e tret dhembjen.

Historia jonë me gjasë fillon prej 1999-ës. Kemi shumë heronj, kemi shumë figura kombëtare. Liderët tanë politik bëjnë homazhe për ta qe 13 vjet rresht. Muhabet tjetër është fakti që familjarët e tyre vizitohen nga elita apo fundërrina politike vetëm nëpër përvjetorë të rënies së tyre. Ne i kujtojmë ata me buste e shtatore anë e mbanë Kosovës. Ndërsa, krejt ata që vepruan edhe para 1999-ës në mendësinë tonë kolektive janë të shumëzuar me zero. As nuk i bëjmë hesap se kanë ekzistuar e lëre më të kenë bërë diçka për këtë vend. Pse nuk i bëjmë hesap?

Sepse, përveç se jemi shkurtpamës si shoqëri, në instancat shtetërore ne kaherë kemi vënë kushtin se kush mund të jetë figurë kombëtare. Kushti i shfaqur nga liderët e pasluftës është i thjeshtë, grotesk, e nervozues. Për tu bërë figurë kombëtare sot duhet të kesh qenë ose luftëtar kundër Serbisë, ose i vrarë nga ushtria serbe. Tjerët janë fantazmë.

Se dëshmorët e kombit duhet të kujtohen, se vlerat e luftës duhet të respektohen – kjo as nuk vihet në diskutim. Vepra e tyre mbetet e shenjtë dhe duhet t’i nderojmë qoftë me emërime rrugësh, aeroportesh, e qoftë me fisnikërimin e trashëgimisë së tyre. Mirëpo, kjo nuk duhet të keqpërdoret për të sjellë kondita se kush është figurë kombëtare e kush jo, se kush kualifikohet për këtë titull nderi e kush jo. Mjerisht, mu këtë po e bëjmë qe 13 vjet.
Kjo shoqëri ka edhe shumë personalitete që janë ndarë nga jeta, e që nuk e rrokën pushkën, e as nuk dolën nëpër beteja gjithandej maleve. Në betejën e tyre armë nuk ishte pushka. Disa e kishin kalemin, disa shkencën, disa e kishin emancipimin e shoqërisë, e disa ngufatjen e hasmërisë.

Duke kërkuar falje që nuk po mund t’i përfshijë të gjithë ata emra të harruar në këtë kolumne, do t’i veçoj gjashtë personalitete, që ndritën mendjet tona në kohët kur zhdukja jonë kolektive ishte bërë agjendë shtetërore. Ata nuk ndriçuan mendjet tona me politikë e as me kallash, por me arsimim.

Rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Dervish Rozhaja ishte një mendje e mprehtë dhe përparimtare. Rozhaja u bë doktori më i ri i shkencave në ish-Jugosllavi pas mbrojtjes së doktoraturës në lëndën e biologjisë në vitin 1959 kur ishte vetëm 24 vjeç. Ai redaktoi revistën shkencore Acta Physiologica Yugoslavica, e cila shumë shpejtë u përmend si ndër revistat më serioze shkencore me karakter ndërkombëtar. Kontributi i tij dhënë Universitetit do të duhej të merrej si inspirim për emancipim akademik.
Dy figura thelbësore për edukimin e kësaj shoqërie janë gjuhëtarët Qamil Batalli dhe Mehmet Gjevori, autorët e Abetares, libër i cili për njëzetetetë vjet rresht i mësoi alfabetin e gjuhës shqipe gjeneratave të tëra në Kosovë. Abetarja e Batallit dhe Gjevorit u botua edhe në kohët kur arsimimi në gjuhën shqipe ishte ilegal dhe dënohej. E sot, me alfabetin që e mësuan nga Batalli dhe Gjevori nënshkruajnë tenderë të dyshimtë e bëjnë koncesione në dëm të interesit nacional.

Stomatologia e parë shqiptare në Kosovë, Prof. Dr. Qamile Jaka ishte burim i inspirimit dhe vullnetit për gjeneratat e reja të stomatologëve të Kosovës. Zor është që njerëzit e një kalibri të mbërthyer si Jaka të kujtohen prej atyre që shkencën e shohin si një komponentë planprogrami arsimor e jo si mekanizëm i ngritjes shoqërore.
Një misionar madhështor që pati Kosova ishte edhe Prof. Dr. Anton Çetta. Ai u struk në pjesët më rurale të Kosovës për të pajtuar gjaqet midis shqiptarëve. Vizioni i Çettës ishte shumë largpamës dhe meriton vend në kujtesën tonë. Por, vepra e tij normalisht se harrohet kur sot epshet dhe etjet politike na bëjnë të i nxjerrim syrin njeri-tjetrit më zi sesa gjaqet e shekullit të kaluar.

Kështu vijmë tek Akademik Gazmend Zajmi, një mendje e çiltër dhe përparimtare që shërbeu si rektori i tretë i Universitetit të Prishtinës në kohët kur ishte bërë e qartë se Kosovën e pritnin vite shumë të rënda pas 1980-ës. Për epitetin e Zajmit flet një anekdotë. Teksa ktheheshin prej një Konference të Rektorëve të Universiteteve të Evropës në vitin 1980, të gjithë rektorat e ish-Jugosllavisë kishin mbetur të ngujuar në aeroportin e Strasburgut për tetë orë për shkak të kushteve klimatike. Një piano në dhomën e pritjeve në aeroport kishte kapur vëmendjen e Zajmit, i cili kishte filluar të ekzekutonte vepra të klasikëve të Evropës. Të habitur e të magjepsur, rektori dhe prorektori i Universitetit të Sarajevës Edhem Çamo dhe Zdravko Pujic me duartrokitje rrëfenin gjithandej Jugosllavisë që një shqiptar i gjithanshëm nga Kosova si Gazmend Zajmi u mbajti koncert midis aeroportit në Strasburg dhe bëri që tetë orët e pritjes të kalonin si tetë minuta.

Këta dhe shumë emra të tjerë meritojnë nderime postmortore dhe respekt shtetëror, sepse secili në mënyrën e vet apolitike punoi drejt emancipimit, pjekjes shoqërore dhe përqafimit të disa vlerave bujare e progresive, që për fat të keq, sot janë vetëm teori të masturbimeve nacionaliste nëpër fjalime të politikanëve.

Ndoshta edhe neve na duhen tetë orë që të reflektojmë se si erdhëm në këtë derexhe me politikanë që nuk e dinë drejtshkrimin e Qamil Batallit e të Mehmet Gjevorit. Me rektorë që janë amorfë dhe të pagdhendur në krahasim me kalibrin e Dervish Rozhajës e të Gazmend Zajmit. Me ministra që mendojnë se pianot janë për “pevacica” dhe deputetë që nuk arrijnë ta bëjnë dallimin midis teatrove dhe kinemave.

E si rezultat i triumfit të injorancës kolektive, i harruam intelektualët tanë të ndjerë – bash ashtu si do të dëshironin ata që na shtypën me dekada të tëra!

Marrë nga: Jeta në Kosovë

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button