Shqipëria shpalli 52 shtetas grekë të padëshiruar në vend

Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë ka shpallur 52 persona me shtetësi greke të padëshiruar në Shqipëri për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të vendit dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike, pas ngjarjeve dje në Gjirokastër, gjatë ceremonisë mortore për shtetasin minoritar Kostandions Kaçifa, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajmin e bëri publik në një deklaratë për mediat zëvendësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, i cili theksoi se këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat e sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në vend, për periudhën e parashikuar në ligj.

“Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”, deklaroi Lleshaj.

Sipas zv.ministrit, është i papranueshëm, provokimi sa “vulgar, aq edhe i rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individë e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të patolerueshme ekstremizmi”.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka njoftuar se në lidhje me thirrjet raciste dhe bllokimin e rrugëve, do të hetojë në gjendje të lirë disa shtetas nga Greqia.

Për thirrjet antishqiptare të ditës së djeshme në fshatin Bularat të Gjirokastrës ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati si dhe kryetari i Partisë Për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, Rama thekson se kritikët mediatikë në Greqi dhe në Shqipëri nuk i duhen askujt.

“Sipas kokave të përndezura të politikës greke e kazanëve të atjeshëm, dje i paskam hedhur benzinë zjarrit, ndërsa sipas kadrinjve tanë politikë e mediatikë paskam pranuar në heshtje përdhosjen e vendit! S’ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë që s’i duhen dreqit”, shkruan Rama.

Ndërsa, Idrizi në një deklaratë për mediat bëri thirrje për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Kujtojmë se, Kostandinos Kaçifa, banor i minoritetit grek mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në Qarkun e Gjirokastrës më 28 tetor ndërsa kjo ngjarje shkaktoi reagime të shumta në Shqipëri dhe Greqi.

Në ceremoninë mortore të tij më 8 nëntor morën pjesë edhe qindra qytetarë grekë dhe pjesëtarë të minoritetit grek që jetojnë në qytetet jugore të Shqipërisë, ndërsa kishte simbole greke dhe thirrje ekstremiste antishqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button