“Ata atje lartë” dhe “ata atje poshtë”

Pleqtë e këtij vendi ose “ata atje poshtë” janë hija e Godosë. Kanë pritur, kanë pritur dhe vazhdojnë të presin çudira, ngase kanë “qitë kokërr” për ata “që janë atje lartë”. Gabim. Nuk mund të presin çudira. Çudi do të ishte që të hypin ndonjë shkallë më lartë se “atje poshtë”. Po të ndodhte kjo, s’do të ishte normale. Atëherë nuk do të ishin “ata atje poshtë”. E si do të funksiononin “ata atje lartë” pa i pasur “ata atje poshtë”. Prandaj pleqtë e lagjeve të varfra e të fshatrave do të mbeten përgjithmonë “ata atje poshtë”. Ashtu do të mbeten se ashtu e kërkon puna.

Nuk është praktikë që “ata atje lartë” të konsultohen me “ata atje poshtë”. Ç’është e vërteta ka kontakte vetëm “kur qitet kokrra”. Vijnë ata që duan të bëhen “ata atje lartë” dhe premtojnë gjithë të mirat e kësaj jete. Pastaj, si të bëhen “ata atje lartë”, ndërrohet faqja. “Pordhi kali n’derë t’hanit”. Ai akti i “qitjes së kokrrës” harrohet shpejt, kështu që vullneti ynë që jemi “ata atje poshtë” mbetet jashtë kuvendit. Sa qeveritë erdhën e shkuan, asnjëherë s’ua vuri kush veshin kërkesave “të atyre atje poshtë”. fare nuk u shkon mendja se kanë hypur “atje lartë” ngase janë “ata atje poshtë” që ua kanë mundësuar të jenë atje ku janë…

Po ç’rëndësi paska kjo për “ata atje lartë”? Ata me dije e pa dije e shtyjnë përpara karrierën e tyre me kryet lartë. E ku mund t’i shohin “ata atje poshtë”. “Ata atje poshtë” janë shumë poshtë, saqë nuk shihen.

Por po ndodh diçka e papritur ndër ata “atje poshtë”. Po përhapet e të thellohet një varfëri e madhe. Ajo e ka thyer krenarinë e të gjithëve, veçmas të intelektualëve dhe të punëtorëve. Fshatarë më nuk ka në Maqedoni. Edhe lakrat, edhe hudrat edhe perimet tjera i marrim nga Kina. Po kush na ka faj që jemi “atje poshtë”?

Janë strukur mësuesit e papunë, studentët e diplomuar dhe e tërë rinia. Shkojnë rrugës kryelëvarur, të përbuzur, sepse edhe ata janë “atje poshtë”. Janë pra nga ata me shpresa të thyera. Trokasin nëpër dyert e atyre, “atje lartë” që të sigurojnë ndonjë punë, me rrogë sa

për idare. Një lloj lëmoshe. Mirëpo “ata atje lartë” informohen hollësisht që ta marrin vesh se kush je dhe i kujt je ti nga “atje poshtë” para se të vendosin për fatin e kërkuesit.

E dinë “ata atje lartë” secilin prej “atyre atje poshtë” se kush është dhe i kujt është ai që kërkon derman. “Ata atje lartë” para vetes e kanë numrin e amzës, që është njëfarë amulete e sofistikuar të cilën ne e mbajmë të shkruar në ballë ngjashëm me atë amuletën të cilën e kanë mbajtur varur në qafë skllevërit në lashtësi, për t’u identifikuar. Përmes këtij numri e marrin vesh se kush je, sa dhëmbë ke, pastaj cili është qëndrimi yt për partinë “që na udhëheq drejt të ardhmes së ndritshme”, e dinë çfarë çorapesh ke mbathur dhe çfarë mendon për partinë. E dinë ata. Po megjithatë kanë dëshirë “të informohen”, të pyesin, sepse duke pyetur e gjen Stambollin, kanë thënë. Pastaj, me amuletën para vetes, ulen si tri fatitë dhe vendosin: ky s’mundet, ky s’mundet, ky s’mundet… Ky po… mundet! Dhe, njërit nga njëqind ia hapin derën për një punë të vogël.

Po kjo është rruga nëpër të cilën kalohet për të fituar të drejtën e punës. Ky është, në të vërtetë, një rreth magjik me një shteg thuajse të pakapërcyeshëm. Prandaj njerëzit e kërkojnë një mundësi e cila të shpie jashtë, të ikin nga atdheu, madje me sakrifica të shumta morale e materiale.

Vetëm të dal jashtë!… Një jetë e kam!

Të rinjtë ikin. Nuk durojnë të mbeten përjetë “atje poshtë” e në mjerim. Kështu lagjet e qyteteve mbeten mbi shpatullat e pensionistëve, fshatrat nën peshën e rëndë të heshtjes. Me pak pleq.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button