Kosovë, deputetët me shpenzime milionëshe, luks me dreka, udhëtime e akomodime në hotele

Deri në 4 mijë euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës vetëm një drekë zyrtare e deputetëve të Kuvendit.

Për këtë, Kuvendi, edhe më tej, vazhdon të kritikohet për shpenzimet që po bën.

Kështu, shpenzimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në muajt prill, maj dhe qershor të 2018-ës, kanë arritur në 1 milion e 200 mijë euro, raporton KTV.

Këtu përfshihen pagat dhe mëditjet, drekat, akomodimet nëpër hotelet jashtë vendit si dhe shërbimet e tjera, si për shembull pagesa për pasaporta diplomatike, ku deputetëve që kanë marrë këtë pasaportë u janë dhënë 50 euro nga buxheti i Kosovës.

Gjithashtu, krahasuar me muajt e parë të 2018-ës, ky institucion ka rritur shpenzimet për 21 mijë euro.

Të dhënat janë publikuar në faqen e Kuvendit, e që janë pjesë e Raportit Financiar për këtë periudhë.

Artan Murati nga KDI-ja, thotë se shumat e shpenzuara për dreka dhe akomodime të deputetëve të Kuvendit në udhëtimet zyrtare, janë tejet të larta në krahasim me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në vend.

Ai vlerëson se Kuvendi i Kosovës duhet të tregoj kujdes të shtuar në menaxhimin e parasë publike dhe të mos krijoj shpenzime të panevojshme.

Kuvendi i Kosovës, që vështirë mban seanca për shkak të mungesës së kuorumit, ka shpenzuar 978 mijë euro për t’i paguar deputetët për 3 muaj.

Për bileta të tyre në udhëtime zyrtare janë paguar mbi 40 mijë euro, kurse 41 mijë tjera janë paguar për mëditje.

Në dreka zyrtare, përfaqësuesit e popullit të Kosovës, kanë shpenzuar, në total, 52 407 euro për 3 muaj.

Më shumë se 17 përqind e kosovarëve, ndërkaq, jetojnë me 1.82 euro në ditë, sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

GRAFIKA:

Prill – Qershor 2018

Paga – 978 392 €

Mëditje – 41 103 €

Dreka Zyrtare -52 407 €

Bileta – 40 781 €

Akomodimi jashtë Kosovës – 27 982 €

Shërbime telefoni – 8 543 €
Pasaporta diplomatike – 572 €
SHPENZIMET E KUVENDIT

PRILL – QERSHOR

1 198 591 €

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button