Në katër vitet e fundit përfshirja e vaksinës MRP është nën 90 përqind

Rënia e përfshirjes me dozën e parë të vaksinës MRP (kundër fruthit, parotitit dhe rubeolës) është fortë i lidhur me ndikimin e lobin anti-vaksinim që po merr hov të madh edhe në vendin tonë, ashtu që shumë prindër ose e refuzojnë vaksinimin MRP ose e prolongojnë deri në moshë më të madhe të fëmijëve të tyre.

Nëse shihen shifrat nga raporti për imunizim të cilin e përgatit Instituti për shëndet publik, vërehet se lidhur me vaksinimin me dozën e parë të vaksinës MRP, që jepet në moshën 12 mujore, në vitin 2017 është regjistruar përfshirje prej 82,6 përqind, që nuk dallon konsiderueshëm në raport me vitin 2016 kur përfshirja ka qenë 82,1 përqind, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Mirëpo, duke filluar prej vitit 2014, vërehet reduktim konstant i përfshirjes, ndërkaq tre vitet e fundit, përfshirja me vaksinimin MRP është në rënie të vazhdueshme dhe është nën 90 përqind.

Për dallim nga përfshirja me dozën e parë, përfshirja me dozën e dytë tek fëmijët në moshën 6 vjeçe, përkatësisht në klasë të parë është shumë më e lartë. Në vitin 2017, përfshirja me dozën e dytë të vaksinës MRP është 97 përqind, që është më tepër se në vitin 2016, kur përfshirja ka qenë 93,3 përqind, si dhe nga përfshirja mesatare për periudhën e kaluar pesëvjeçare, që është 94,8 përqind.

Sa i përket lidhshmërisë së kësaj vaksine me autizmin, studimi që në vitin 1998 ka treguar ndonjë lidhje me autizmin është demantuar, kurse punimi në të cilin është prezantuar ky studim ka qenë i tërhequr nga revista në të cilën ka qenë i publikuar. Prej atëherë janë bërë studime të shumta në të cilat janë krahasuar qindra mijëra fëmijë që kanë pranuar MRP vaksinë, me fëmijë të cilët asnjëherë nuk e kanë marrë vaksinën; gjatë kësaj është konstatuar se rreziku për shfaqjen e autizmit është i barabartë në të dyja grupet, që e flak teorinë se vaksina MRP  shkakton autizëm.

“Meta” veç më ka shkruar se imuniteti kolektiv në shtet është “dobësuar”, kurse ministri i shëndetësisë Venko Filipçe tash më ka lajmëruar masa për rritjen e përfshirjes me vaksinim.

“Në pajtim me Planin aksional, fusha prioritare për veprim, në të cilat është i përfshirë edhe shteti ynë janë blerje e vaksinave cilësore, kontroll efikas mbi procesin e imunizimit, qasje tek vaksinat dhe promovim e edukim i vazhdueshëm për përfitimet nga vaksinimi”, deklaroi ministri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button