Franca nuk mbështet plan të ri për veriun

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou ka deklaruar se Franca nuk mbështet plan të ri për veriun e Kosovës.
Fitou në një intervistë për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se dialogu nuk duhet të mbyllet me restrikcione të forta, por ekziston një plan që i mbulon të gjitha çështjet, që siguron mjaft hapësirë dhe ai është Plani i Ahtisaarit.

“Zgjidhja për veriun është ajo që të mos flitet fare për atë që nuk ekziston dhe të fillohet të flitet vetëm për atë që ekziston. Pra, të fillohet të shikohet se cilat janë shërbimet dhe garancitë që u ofrohen qytetarëve të veriut nga plani i përgjithshëm. Nuk po them që dialogu duhet të mbyllet me restrikcione të forta, por them që e kemi në tavolinë një plan që i mbulon të gjitha çështjet, që siguron mjaft hapësirë dhe ai është Plani i Ahtisaarit, për të cilin duhet të ofrohemi dhe të shikojmë më afër. Është e preferueshme që të fillojmë të punojmë me mjetet që i kemi, e jo të fillojmë të shohim për të zbuluar diçka tjetër që nuk ekziston”, ka thënë Fitou.

Duke folur për marrëveshjen ndërmjet liderëve politik për zgjedhjen e presidentes, se a ka qenë vetëm një skenar për tejkalimin e krizës, Fitou u shpreh “Nuk e di a mund ta themi këtë. Ka marrëveshje politike që ndodhin në gjithë botën, që bëhen ndërmjet partive politike, por kur janë në raport me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kur krahasohen me Kushtetutën, ato janë më të dobëta se Kushtetuta.

Pra, nuk është në pikëpyetje një çështje e madhe, sepse edhe në vendim tim ekziston Këshilli Kushtetues. Nganjëherë ky Këshill ekzaminon ligje apo kode të ndryshme politike dhe kur vlerëson se ato nuk janë konform Kushtetutës, ato rrëzohen dhe debati mbaron me kaq. Gjithsesi, kjo mund të shkaktojë reagime, që është plotësisht e kuptueshme, por kjo është vetë jeta normale demokratike”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button