Tadiç: Pavarësia e Kosovës është legjitime, por edhe ne kemi kërkesa

Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh ish – president i Serbisë, Boris Tadiç, ka thënë se Serbia në njëfarë kuptimi e ka konfirmuar realitetin se Kosova është e mëvetshme e madje edhe gjatë negociatave nuk ka pasur qëllim që Kosovën ta bëjë jo të pavarur, veçse ka dëshiruar ta definoj kornizën juridike të asaj mëvetësie.

Sipas tij, Serbia më nuk ka kurrfarë institucione apo instrumente me të cilat do ta drejtonte çfarëdo procesi në Kosovë. Ai ka theksuar se Kosova dhe aleatët e saj kanë strategjinë e hapave të ngadalshëm drejtë pavarësisë së plotë.

Tadiç për revistën kroate “Globus”, ka thënë se ky interes me të cilin do të përmbushej objektivi i shqiptarëve në Kosovë është legjitim dhe askush nuk mund ta mohoj.

“Por Serbia ka interesat e veta në Kosovë ku kemi qytetarët tanë, përmendoret tona kulturore dhe integritetin tonë shtetëror. Këtë nuk guxojnë ta harrojnë as shtetet tjera të rajonit, sepse nëse pranohet demontimi i integritetit të Serbisë atëherë herët a vonë mund të demontohet i tërë rajoni”, është kërcënuar Tadiç, raporton RTK.

Pyetjes nëse e konsideron politikën e vet të dështuar sepse Serbia tani nuk e ka as Kosovën as BE, Tadiç ka shfaqur bindjen se Serbia mund ta ketë edhe njërën edhe tjetrën, por për asnjë çast nuk ka menduar se Serbia do ta integrojë hapësirën e Kosovës sipas mënyrës siç ka qenë në kohën e Millosheviçit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button