RDK: Deputetët e BDI-së kanë dalë jashtë loje

Në një komunikatë për mediat, Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh shqetësimin e saj në lidhje me deklaratat e zyrtarëve të BDI-së për çështjet kryesore që i tangojnë shqiptarët.

“Deklarata e fundit e kryetarit të BDI-së se çështja e gjuhës shqipe do të zgjidhet në mandatin e ardhshëm, tregon më së miri se deputetët e BDI-së tashmë kanë dalë jashtë loje dhe do të vazhdojnë “pushimet në parlament” edhe për tre vitet e ardhshme. RDK shpreh habinë se si Kryetari i BDI-së, i cili gjatë fushatës së kaluar, më 17 maj 2011 në Kumanovë vet deklaroi se (citojmë) “ky është vërtetë mandati në të cilin çështja e gjuhës shqipe sërish vendoset në bangat e Parlamentit të Maqedonisë për zgjidhje përfundimtare”, pardje, pa e vrarë shumë mendjen, u shpreh se kjo çështje është lënë për në mandatin e ardhshëm! 

RDK është e habitur që një deklaratë e tillë vjen pas katër vitesh mburrje nga BDI me ligjin e saj të dështuar për gjuhët, për të cilin koha po dëshmon se është bërë pengesë për përdorimin e gjuhës shqipe. Edhe më e çuditshme bëhet deklarata e Kryetarit të BDI-së kur dihet se ai ka më shumë se një vit që mburret me ndryshimet e fundit në ligjin për gjuhët, të cilat RDK i ka demaskuar se mundësojnë përdorimin e shqipes vetëm për 30 persona”, thuhet në këtë komunikatë.

RDK shtron pyetjen se ku mbetën deklaratat e zyrtarëve të BDI-së, se çështja e gjuhës shqipe do të zgjidhet me interpretim autentik të Kushtetutës, për të cilin RDK u shpreh publikisht se është vetëm një mashtrim i rradhës dhe nuk ka asnjë bazë.

Ata gjithashtu shprehin qëndrimin e tyre se deklarata e fundit e Kryetarit të BDI-së është joserioze sepse për rregullimin e gjuhës shqipe nuk duhen vite, por kapacitet juridik, vullnet politik dhe imponim i zgjidhjes së çështjes së palës tjetër, gjë që BDI e ka dëshmuar më së miri se nuk është në gjendje ta bëjë as deri tani, as tani e as në të ardhmen.

“Deklarata në fjalë vetëm tregon më së miri se deputetët e BDI-së tashmë kanë dalë jashtë loje dhe do të vazhdojnë “pushimet në parlament” edhe për tre vitet e ardhshme.”, thuhet më tutje në komunikatën e RDK-së./Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button