I rrisin rrogat për zyrtarët e lartë

Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e rrogave për zyrtarët e vet të lartë. I pari që do të përfitojë nga kjo rritje është kryeministri Hashim Thaçi, të cilit do t’i shtohen në llogari edhe nga 882 euro për muaj.

Bashkë me të do të përfitojnë edhe zëvendëskryeministrat, ministrat dhe shumë zyrtarë të tjerë. Projektligji pritet të marrë miratimin edhe nga Kuvendi, njofton gazeta “Express”.

Kur janë në pyetje paratë, krerët e institucioneve të Kosovës nuk e ndjekin rrugën e miqve ndërkombëtarë siç ndodh zakonisht. Madje prirja për t’ia rritur luksin vetes tregon se ata po veprojnë komplet ndryshe nga liderët botërorë.

Për dallim nga Presidenti Francez, Francois Hollande që kur mori timonin e vendit, ua zbriti pagat të gjithë ministrave 30 për qind, në Kosovë Qeveria po planifikon t’ua rrisë pagat zyrtarëve të saj të lartë.

Kështu, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ai i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani do t’i bëjnë rrogat e njëjta.

Që të tre do t’i marrin hiq më pak se nga 2.325 euro në muaj, nëse projektligji për pagat e funksionarëve publik miratohet nga Kuvendi i Kosovës, ashtu siç ka kërkuar Qeveria.

Me këtë projektligj, kryeministrit i ndryshon koeficienti i pagës nga 7.75 në 12.50, që automatikisht e rrit pagën e tij bruto për 882 euro, ndërsa kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për 449 euro.

Nivelizimi i pagave të tre këtyre zyrtarëve të lartë të shtetit është pjesë e premtimit të ekzekutivit, për të mos pasur dallime të mëdha në të ardhurat e zyrtarëve publikë.

Këtij nivelizimi nuk do t’i gëzohet edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, së cilës parashihet që t’i zvogëlohen të ardhurat mujore për 100 euro.

Ndryshe, nëse miratohet projektligji i ri rritje të pagës do të përfitojnë edhe zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zyrtarë tjerë të lartë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button