Rritet migracioni i parregullt nga Greqia në Bullgari

Ministria e Brendshme e Bullgarisë ka njoftuar se kohët e fundit është regjistruar rritje masive e fluksit të emigrantëve të parregullt nga kufiri grek, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i policisë kufitare në qytetin Smolyan në jug të Bullgarisë, Stojan Mandaciev, ka bërë të ditur se janë kapur dhe rikthyer më shumë se 2.000 emigrantë të parregullt të cilët janë përpjekur të hyjnë në Bullgari nëpërmjet kufirit grek gjatë periudhës janar-shtator 2018.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, Mandaciev tha se është vërejtur një rritje prej 5 herë më shumë.

Ai rikujtoi se kalimi i paligjshëm i kufirit përbën një krim të rëndë. Mandaciev tha se ata kanë marrë masa të vendosura kundër këtyre krimeve dhe se janë kryer operacione të gjera në rajonet kufitare me Greqinë dhe Turqinë.

Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mësohet se në operacionet kundër migracionit të parregullt janë arrestuar gjithsej 1.453 të huaj të cilët janë përcaktuar se kanë hyrë ilegalisht në vend gjatë periudhës janar-gusht 2018. Gjithashtu në të njëjtën periudhë, është dhënë statusi “refugjat” ose “statusi humanitar” për 2008 të huaj.

Bullgaria e cila kundër migracionit ka ngritur 274 kilometra gardh me tela në kufirin tokësor me Turqinë, po ballafaqohet me probleme më të mëdha në pjesën kufitare tokësore të përbashkët që ka me Greqinë fqinje e cila edhe ajo si Bullgaria është vend anëtar i Bashkimit Evropian (BE).

Sipas statistikave zyrtare në Bullgari, numri i emigrantëve të parregullt të regjistruar që mbahen në kampe është nën 600.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button