Philip Gordon bisedoi me Nikoliçin, vijon takimi me Jahjagën

Ndihmës-sekretari i Shtetit, Philip Gordon dhe presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç kanë diskutuar të hënën për Kosovën.

Presidenti serb, Nikoliç, në takim me Gordonin ka thënë se është e nevojshme që strukturat ndërkombëtare, të cilat janë të pranishme në Kosovë, t’i kryejnë detyrat e tyre në përputhje me mandatin që kanë, transmeton Rtk njoftimin. Ai ka kërkuar që të sigurohen dhe mbrohen të gjithë qytetarët e Kosovës, njofton zyra e Nikoliçit.

Nikoliç, citohet të ketë dënuar incidentet e fundit ku serbët, sipas tij, janë ‘viktima’. Ai ka deklaruar se krimet e tilla nuk kontribuojnë në stabilizimin në rajonit, sidomos në rifillimin e dialogut me Prishtinën, thuhet në kumtesën e Zyrës së Presidentit të Serbisë.

Sipas kësaj kumtese, ndihmës sekretari i Shtetit, Philip Gordon, ka thënë se SHBA-ja do të bashkëpunojë me çdo qeveri të zgjedhur nga Kuvendi i Serbisë.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit i ngarkuar për Evropën dhe Euro-Azinë, Philip Gordon, do të takohet në orët e pasdites me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga. Sipas një njoftimi të Ambasadës amerikane në Prishtinë Zëvendëssekretari Gordon dhe presidentja Jahjaga do të takohen në orën 16:00.

Të premten Ambasada amerikane njoftonte se në “Prishtinë zëvendëssekretari i Shtetit Gordon do të takohet me zyrtarë të lartë qeveritarë për të përgëzuar Kosovën në përmbylljen e planifikuar të mbikëqyrjes së pavarësisë në shtator dhe për të inkurajuar udhëheqësit Kosovarë që të punojnë drejt integrimit Evropian”.

Po ashtu thuhej se “zëvendëssekretari Gordon do të vizitojë edhe veriun e Kosovës ku do të takohet me zyrtarët e KFOR it dhe EULEX it”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button