Punësimi i shqiptarëve në administratë, një tjetër zero

Asnjë shqiptar i pranuar në Spitalin e Qytetit “8 Shtatori”. Partitë opozitare reagojnë për faktin se nga 26 vendet e lira për punë, prej të cilave 16 për mjekë dhe 10 laborant, teknik dhe infermier, në rrethin më të ngushtë ka hyrë vetëm një shqiptar si infermier. Nga 16 mjekët nuk ka asnjë shqiptar.

Në mbrojtje doli koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi, i cili thotë se Kuvendi ka miratuar kornizën ligjore për punësim adekuat të shqiptarëve.

“Parlamenti i Republikës së Maqedonisë me propozim të Qeverisë, në prill të vitit 2012 ka miratuar Ligjin për mbrojtje shëndetësore ku në nenin 156 mes tjerash obligohet punëdhënësi që gjatë plotësimit të vendeve të lira të punës, përpos kritereve tjera të respekton dhe përcaktimin kushtetues për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të nacionaliteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë” – tha Xhaferi.

Por nga PDSH theksojnë se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk bëhet me korniza ligjore, por me fuqinë politike të partisë shqiptare në pushtet, e cila sipas tyre është zero.

“Përfaqësimi adekuat dhe i drejtë nuk është tek korniza ligjore dhe kushtetuare, por është tek potenca e faktorit politik shqiptar i quajtur BDI, ajo ka potencë zero. Zeroja vazhdon të mbetet numri i preferuar i BDI-së. Zeron më të re BDI ua servoi shqiptarëve në konkursin më të ri për pranimin e kuadrit mjekësor në institucionet shëndetësore, ku nuk u pranua asnjë shqiptar. Nga ana tjetër, pala maqedonase për çdo dit punëson maqedonas. Si pasojë e gjithë kësaj përqindja e shqiptarëve gjatë periudhës katër vjeçare të kësaj qeverie, nëpër institucione jo që është rritur, por kemi rënie drastike” – theksoi Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Deputeti i RDK-së Izet Zeqiri konteston pikërisht nenin 156 të cilin e citoi Talat Xhaferi, duke konstatuar shkelje të rëndë të këtij neni me punësimet e reja në Spitalin “8 Shtatori”.

“Është skandaloze nga Drejtoria e shtëpisë së shëndetit, në kushte kur përfaqësimi etnik i shqiptarëve në shëndetësinë publike është vetëm 11%, ose nga gjithsej 15.070 të punësuar, vetëm 1.675 janë shqiptar. Në konkursin për pranimin e kandidatëve të rinj, drejtori me dy këmbë shkel nenin 156, ku është taksativisht i shprehur edhe përfaqësimi i drejtë dhe i barabartë” – tha Izet Zeqiri.

Ai përmendi edhe rast konkret të një vajze që ka mbaruar fakultet në Universitetin e Stambollit, ndërsa që nga viti 2004 nuk arrin të punësohet, së fundmi duke qenë e refuzuar në këtë konkurs.

“Një kandidate shqiptare, Lejla Ibrahimi që ka kryer fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Stambollit, është fshehur mesataren e saj edhe pse kandidatja ka dorëzuar transkriptë në origjinal dhe të përkthyer. Kandidatja nga 2004 pret për punë, edhe pse ka 6 vite fakultet të kryer në Turqi dhe specializim. Ajo ka marrë më pak pikë në anglisht, edhe pse shkollën e mesme e ka kryer në gjuhën angleze” – tha Zeqiri.

Sipas raportit të Avokatit të Popullit, rritja e përfaqësimit apo punësimit të shqiptarëve është 0.3% ndërsa te maqedonasit 0.9%.

Lajme të ngjashme

Back to top button