Jahjaga: E gatshme të takohem me Nikoliç si liderë shtetesh të pavarura

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka deklaruar se do të bisedonte me presidentin e Serbisë Tomisllav Nikoliç, si dy liderë të shteteve të pavarura, citon Radio Evropa e lirë.

“Ne si udhëheqësit e vetëm ligjorë dhe legjitimë të shteteve tona, duke shprehur vullnetin e qytetarëve tanë, mund të bisedojmë. Përmes këtyre bisedimeve të gjejmë zgjidhje të fortë dhe qëndrueshme, që do të nënkuptonte paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, – tha Jahjaga për të përditshmen e Novi Sadit “Dnevnik”.

Intervista botohet një ditë pasi në Dubrovnik të Kroacisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shtrëngoi duart me ish-presidentin serb, Boris Tadiç. Ky i fundit nuk ka pranuar të takojë zyrtarët e lartë kosovarë sa ishte në pushtet, dhe as të marrë pjesë në takimet rajonale, ku Kosova është përfaqësuar si shtet. Presidentja Jahjaga, në intervistën dhënë gazetës ‘Dnevnik’, ka shfaqur dëshirën që liderët e rinj të Serbisë të pranojnë sa më parë Republikën e Kosovës dhe si dy shtete fqinje të vendosin marrëdhënie diplomatike dhe të bashkëpunojnë në rrugët e integrimit euro-atlantik.

Presidentja Jahjaga ka vlerësuar se marrëveshjet që kanë dalë nga dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit po zbatohen ngadalë, për shkak se pala serbe nuk ka gatishmëri që të zbatojë atë për të cilën është rënë dakord. Sipas saj, nga Beogradi pritet që të rrisë nivelin e dialogut në lidhje më dëmet e luftës, personat e pagjetur dhe gjykimet për krime lufte.

“Liderët e Serbisë deri më tash nuk kanë folur publikisht për këto çështje”, – ka thënë presidentja e Kosovës. Ajo ka hedhur poshtë pretendimet e serbëve të veriut të Kosovës që kjo pjesë të mbetet pjesë e Serbisë dhe tha se shprehja e vullnetit të lirë të qytetarëve nuk do të thotë që çdo komunë dhe çdo fshat ka të drejtë për vetëvendosje dhe shkëputje. “Vetëm paramendojeni se çka do mbetej nga shteti i Serbisë, nëse parimi i vetëvendosjes do të ulej në atë nivel”, – u shpreh Jahjaga./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button