Gostivar, kryetari Osmani përuroi rrugën Çegran-Forinë

Në prezencën e qindra qytetarëve të Çegranit dhe të Forinës sot në mënyre solemne kryetari i Gostivarit, Rufi Osmani, i shoqëruar nga deputeti i RDK-së Izet Zeqiri lëshuan në përdorim rrugën e re në gjatësi prej 5.5 kilometra. Në një atmosferë festive përfundimi i këtij aksi rrugor ku gravitojnë 15 mijë banorë u prit dhe u përshëndet me entuziazëm shumë të lartë. 

Në fjalën e tij përuruese në Çegran  dhe në Forinë, mes tjerash kryetari  Osmani theksoi u shpreh mjaft i kënaqur që me sukses u kurorëzua njëri nga investimet kapitale më serioze të programit investiv të vitit 2012. 

“Ndërtimi i kësaj rruge me një gjatësi prej 5,5 km dhe gjerësi prej 6 m  kap vlerën prej 500 mijë euro, të holla të cilat në vlerë prej 320 mije euro janë siguruar nga EBRD dhe 180 mijë euro nga komuna e Gostivarit. Krahas zgjerimit  dhe asfaltimit  të ri të rrugës, u bë edhe rikonstruimi i rrjetit të ujësjellësit në linjën kryesore në Forinë dhe u zgjodh problemi me ujërat atmosferik dhe pjesërisht ato fekale në të dy fshatrat”, tha Osmani.

“Ky investim është vetëm pjesa e parë e investimit , pasi që komuna ka arritur të sigurojë edhe 250 mijë euro nga Banka Botërore për ndërtimin e njërës anë të trotuarit të rrugës në vlerë  prej 220 mijë euro, investim ky i cili pritet të realizohet gjatë vjeshtës së këtij viti, kur do të realizohet  edhe rruga Çegran –Tumçevisht, ivestim ky i cili arrin vlerën prej 220 mijë euro”, shtoi ai.

Kryetari Osmani falënderoi në veçanti operatorët ekonomik dhe qytetarët për bashkëpunim shumë cilësor në tejkalimin e shumë kontesteve që u paraqitën gjatë realizimit tre mujor të këtij investimi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button