Jahjaga: Ndaleni korrupsionin

Në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, ku bëjnë pjesë udhëheqësit më të lartë të fushave të sigurisë dhe drejtësisë nga organet vendase e ndërkombëtare, e të cilin e kryeson vetë presidentja, Jahjaga ka thënë se askush nuk duhet të tentojë që të përfitojë në mënyrë të paligjshme.

Siç njofton Evropa e Lirë, Jahjaga ka kërkuar jo vetëm shifra të denoncimeve, por edhe rezultate konkrete që tregojnë dëshmi për luftimin e kësaj dukurie.

“Kosova synon integrimet euroatlantike, por fillimisht ajo duhet të çrrënjosë krimin e organizuar dhe korrupsionin”, është shprehur presidentja.

Duke kërkuar fitore ndaj korrupsionit, Jahjaga ka thënë se kjo është një dukuri e shëmtuar, e jashtëligjshme, e cila po kërcënon t’i përfshijë të gjitha sferat e jetës dhe të punës, sidomos në punën e institucioneve.

“Nuk mund të ndalemi derisa të mos e çrrënjosim tërësisht këtë dukuri të ligë, derisa të mos e krijojmë atë kod moral dhe ligjor që askush të mos tentojë që përmes aferave korruptive t’i sjell përfitime vetvetes, rrethit të tij apo të tjerëve”, është shprehur Jahjaga./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button