ANALIZË: Shkollat të fundosura në borxhe – komunat kërkojnë rritje të dotacioneve buxhetore për 30%!

Megjithëse numri i komunave me llogari të bllokuara ndryshon, sipas informacioneve të “Portalb”-it, aktualisht ka rreth 20 komuna që janë nën bllokadë. Problemet financiare me të cilat ballafaqohen disa nga autoritetet lokale përsëri dolën në sipërfaqe me fillimin e vitit të ri shkollor, të cilin disa nga shkollat ​​fillore dhe të mesme në Maqedoni e filluan me probleme të vjetra-të reja: llogari të bllokuara, fatura të papaguara të energjisë elektrike, borxhe për transportin e nxënësve, mungesë e financave për sigurimin e kushteve elementare për punë. Disa nga kryetarët e komunave për “Portalb“-in flasin për kondicionin financiar të arkave komunale, por dhe për borxhet e arsimit në nivel lokal.

20 komuna të bllokuara…

Gjatë këtij muaji, autoritetet lokale duhet të informohen se sa para do të marrin në bazë të bllok-dotacioneve. Në seancën e korrikut të BNJVL-së, kryetarët e komunave kërkuan rritje të dotacioneve buxhetore për 30%. Në ndërkohë, me fillimin e vitit të ri shkollor dolën në sipërfaqe borxhet në arsim, ndërsa disa nga shkollat ​​e filluan vitin me llogari të bllokuara. Jo vetëm për transportin e nxënësve dhe për ngrohje, disa shkolla në vend në vitin e ri shkollor nuk kanë para për sigurimin e kushteve elementare për punë, për dezinfektimin e objekteve, për pagesën e kontrolleve mjekësore të mësuesve të parapara me ligj. Disa shkolla të mesme dhe fillore edhe këtë vit shkollor, 2018-2019, do të “punojnë” me llogari të bllokuara. Vetëm në Gostivar ka dy të tilla, një shkollë fillore dhe gjimnazi i Gostivarit, dhe arsyeja për këtë situatë, sipas kryetarit të komunës, është politika. Taravari thotë se është bëhet fjalë borxhe për shkak të faturave të papaguara të energjisë elektrike, ndërsa përpjekja e tij për marrëveshje me drejtorët ka përfunduar pa sukses.

“Borxhet e shkollave në Gostivar ishin rreth 150.000 euro, dhe nga kjo shumë u paguan pothuajse të gjitha, përveç për dy shkolla, një fillore dhe një të mesme, të cilat kanë llogari të bllokuara për shkak të borxheve të papaguara për energjinë elektrike. U propozova drejtorëve ta paguanin borxhin me cedim, por ata nuk pranuan, me çka problemi mbeti. Për këtë gjendje fajtore është politika” – thotë Taravari.

Kryetari i komunës sqaron se kishte trashëguar borxhe prej 3 milionë eurosh dhe ka arritur ta paguajë gjysmën e tyre ose 1.5 milionë euro. Problemet financiare të komunave, sidomos në arsimin në nivel lokal kanë qenë temë diskutimin edhe e mbledhjes së BNJVL-së të mbajtur në muajin korrik, në të cilën kryetarët e komunave të ndryshme alarmuan për borxhet për arsye të ndryshme dhe për paaftësinë e përgjithshme për pagesë të arkave komunale.

“U theksua se obligimi, që transportin e nxënësve ta sigurojnë komunat ku mësojnë nxënësit, krijon probleme shtesë për këto komuna, sepse fondet që i pranojnë për çdo nxënës nuk i mbulojnë as përafërsisht shpenzimet e bëra. Këto komuna përballen me sfida shtesë gjatë realizimit të furnizimeve publike për transportin e nxënësve, ku pushteti lokal është i pafuqishëm, t’i përballë çmimet e ofruara të larta nga operatorët. Borxhet shtohen edhe për shkak të obligimeve të tjera për sigurimin e kushteve adekuate për punë në shkolla (ngrohja, mirëmbajtja e objekteve, materialet mësimore dhe harxhuese, kontrollet mjekësore të arsimtarëve, sigurimi i objekteve, dezinfektimi…) të cilat janë vazhdimisht në rritje e të cilave u shtohen edhe kamatat” – thonë nga BNJVL-ja.

Fillim problematik në këtë vit shkollor patën edhe një pjesë e shkollave në Manastir, por sipas kryetares së komunës, Natasha Petrovska, problemi kryesor me transportin e nxënësve është zgjidhur. Në Manastir, borxhet e përgjithshme të shkollave arrijnë në 4.5 milionë euro, ndërsa nga 18 shkolla, gjysma kanë llogari të bllokuara bankare. Ajo që është alarmante është fakti se madje dhjetë shkolla janë të bllokuara më shumë se gjashtë vjet. Pjesa më e madhe e borxheve, përveç për transportin e nxënësve, janë për faturat e papaguara të energjisë elektrike.

Para do kohësh, kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se me rebalancin e tetorit, komunat, veçanërisht ato që kanë probleme të vështira financiare, do të marrin më shumë para nga buxheti.

“Zgjidhja përfundimtare për ato borxhe të trashëguara është përmes mënyrës se si shteti do t’i ndihmojë komunat që t’i kthejnë borxhet. Pjesa më e madhe e këtyre borxheve janë shkollave, çerdheve dhe institucioneve të tjera arsimore. Besoj se me rebalancin e tetorit të gjitha këto mjete do të ndahen që problemi të zgjidhet përfundimisht, e deri në atë kohë, unë si kryeministër së bashku me kryetarët e komunave, jemi të përfshirë në pagesën e borxheve të cilat u janë mbledhur shkollave” – deklaroi Zaevi.

Edhe pse të dhënat për numrin e komunave të bllokuara ndryshojnë, sipas informacioneve të “Portalb”-it, ky numër tani është rreth 20, ndërsa vitin e kaluar me llogari të bllokuara ishin 17 komuna, nga të cilat shtatë janë bllokuare me vite dhe në vazhdimësi.

Ilustrim

Borxhet e komunave më të larta se 250.000.000 еuro?

Në pritje të injeksionit financiar, autoritetet lokale i dërguan një kërkesë ministrit për arsim se për një zgjidhje të përhershme të problemit, duhet të rritet sasia e parave që transferohen nga buxheti në llogaritë komunale, shkruan analiza javore ekonomike e “Portalb“-it..

“Para ministrit Ademi, edhe një herë u prezantua qëndrimi i BNJVL-së se çdo ndryshim në metodologjinë për shpërndarjen e bllok-dotacioneve nuk do t’i zgjidhë sfidat, por se nevojitet rritje e bllok-dotacioneve për të paktën 30% dhe u potencua nevoja për miratim urgjent të Rregullores për transportin e nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm” – theksuan kryetarët e komunave në propozimet e tyre që ia drejtuan ministrit përmes BNJVL-së.

Jo vetëm Manastiri dhe Gostivari, por me problemet financiare ballafaqohet dhe Ohri, ku situata është e vështirë me vite, ndërsa llogaria bankare është e bllokuar, si dhe Kumanova. Borxhi i përgjithshëm i të gjitha komunave në vend, në bazë të disa vlerësimeve është rreth 250 milionë euro, nga të cilat 120 milionë euro, sipas raportit zyrtar të revizionit, janë borxhe për shkak për të mospagimit të detyrimeve ndaj furnizuesve, kredi, hua afatgjate, aktvendime gjyqësore dhe kamata.

“Është e qartë se borxhet e autoriteteve lokale janë të mëdha, në qoftë se analizohet struktura, do të shihet se një pjesë e borxheve janë trashëguar, do të thoja nga socializmi, para se të miratohen ligjet e reja për vetëqeverisjen lokale, pastaj këtu janë edhe borxhet për shkak të punës së papërgjegjshme të paraardhësve, shkeljet e tenderëve, realizimi i projekteve në kohë kur arkat komunale nuk kanë pasur mundësi për pagesë, e një pjesë e borxheve janë ndaj furnizuesve, për transport të nxënësve, fatura për energji elektrike” – thotë kryetari i komunës së Velesit dhe anëtar i Këshillit drejtues të BNJVL-së, Ace Kocevski.

Sa dhe për çfarë arsye kanë borxhe komunat – përgjigje për këtë çështje duhet të japë metodologjia e re për regjistrimin e borxheve në nivel lokal. Në fakt, komunat tashmë ligjërisht janë të detyruara t’i paraqesin borxhet përmes një sistemi të veçantë në Ministrinë e Financave, prej ku thonë se procedura është në realizim e sipër dhe se nevojitet kohë që përfaqësuesit e komunave t’i paraqesin të dhënat e kërkuara, pas të cilës do të dihet edhe pasqyra e përgjithshme e borxheve të komunave. Në buxhetin e këtij viti, shuma e transfereve për njësitë e vetëqeverisjes lokale arriti në rreth 300 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e parave për arsim, ose më shumë se 80 për qind, përfundojnë për rrogat e punonjësve të shkollave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button