Veseli: Sovraniteti territorial është parim i panegociueshëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në Konferencën e Pestë të Ambasadorëve të Kosovës se sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit janë parime të panegociueshme.

Veseli ka thënë para diplomatëve se tashmë Kosova ka hyrë në një fazë e cila kërkon përgjigje të drejta dhe të vendosura se në çfarë është duke ecur. Kreu i Kuvendit tha se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet, ngase Kosova nuk mund të vazhdojë edhe më tutje të harxhojë të gjitha energjitë e saj duke u marrë me problemet e trashëguara nga e kaluara e hidhur, njofton Koha.net.

Ai ka thënë se përmbyllja e këtij dialogu bëhet pikërisht në funksion të vazhdimit të agjendës evropiane dhe përmbyllës së subjektivitetit ndërkombëtar, si shtet i pavarur dhe sovran.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit tonë janë parime të panegociueshme. Njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja alternativë e mundshme për të ardhmen. Dhe bashkë me këtë edhe anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në OKB, për të vazhduar me anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Çdo opsion tjetër është lajm i rremë, qoftë i atyre që ende kanë iluzione kundër shtetit të Kosovës, qoftë i atyre që nuk besojnë në shtetin e Kosovës. Nuk ka forcë që mund ta kthej pas realitetin e ri të Kosovës”, ka thënë Veseli.

Duke folur për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, Veseli theksoi nevojën e konsensusit të brendshëm politik. Ai shtoi se për fat të keq është duke vazhduar fryma e polarizimit partiak për çështje të cilat do duhej të na bashkonin.

“Është e qartë se kjo reflektohet edhe në punën tuaj si përfaqësues të Kosovës në shtetet përkatëse ku jeni të akredituar. Por një fakt i tillë assesi nuk duhet lexuar si hezitim për të vazhduar me detyrën dhe misionet tuaja specifike në shërbim të vendit. Ju duhet të vazhdoni edhe më me këmbëngulje të përfaqësoni denjësisht vendin tonë në botë”, ka thënë Veseli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button