Ministri gjerman: Ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi nuk zgjidh asnjë problem
Ministri për Evropën i Gjermanisë, Michael Roth, paralajmëroi të hënën Kosovën dhe Serbinë se ndryshimi i kufirit të tyre nuk do të zgjidhë asnjë problem dhe tha se e ardhmja e rajonit është multietnike, multifetare dhe multikulturore, transmeton REL.
“Të dashur miq në Kosovë dhe Serbi, rishkrimi i kufijve nuk do të zgjidhë asnjë problem. Një veprim i tillë do të hapte Kutinë e Pandorës të armiqësive etnike. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është thjesht multietnike, multifetare dhe multikulturore. E bashkuar në diversitet, kjo është Evropa”, tha Roth në një postim në Twitter.
Dear friends in #Kosovo?? & #Serbia??, to redraw the borders will not solve any problems. Such a move would open a Pandora’s box of ethnic recriminations. The future of the #WesternBalkans is just a multiethnic, -religious & -cultural one. United in diversity, that’s #Europe.
— Michael Roth MdB ?? (@MiRo_SPD) September 3, 2018
Ideja për ndryshimin e kufijve është shpalosur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve.
Ajo është kundërshtuar në disa raste edhe nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka thënë se Berlini i mbështet të gjitha bisedimet që çojnë kah normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, porse “modifikimi i kufirit mund të ketë pasoja për Ballkanin“.