BDI e miratoi “Platformën politike për Referendumin PRO NATO dhe BE”

Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim sot në Shkup e ka miratuar “Platformën politike për Referendumin PRO NATO dhe BE”.

Ju përcjellim disa pjesë nga e njëjta:

Duke u nisur nga Deklarata themeluese e BDI-së nga 5 qershori i vitit 2002, në përputhje me të gjitha përcaktimet e mëtejshme programore, ideologjike dhe strategjike, të përcaktuar në vazhdimësi dhe pa asnjë alternativë tjetër, për integrim në NATO dhe BE, të udhëhequr nga vullneti i shumicës absolute të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve tjerë të shprehur në të gjitha proceset zgjedhore në vend, BDI në platformën e saj konstaton se kursi euroatlantik është alternativë e vetme për të ardhmen e përbashkët të Maqedonisë dhe të rajonit.

Vlerëson që integrimi euroatlantik është tërësisht në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe kontribuon në marrëdhënie të shëndosha ndëretnike, marrëdhënie të mira me fqinjët, paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri, barazi, mirëqenie shoqërore dhe zhvillim ekonomik.

BDI thekson se referendumi i 30 shtatorit që do ta integrojë vendin në NATO dhe BE, është përcaktim për një shoqëri më demokratike, me sundim të plotë të rendit dhe ligjit si dhe me luftë të pakompromistë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.  Më 30 shtator, ekzistojnë vetëm dy opsione, njëri është për Maqedoninë evropiane kurse tjetri kundër. BDI me të gjitha kapacitetet e veta, do të angazhohet për suksesin e referendumit dhe ngadhënjimit të forcave progresive në vend.

Nga BDI ftojnë edhe opozitën shqiptare dhe atë maqedonase që t’i bashkëngjiten suksesit të këtij referendumi, gjithashtu ftojnë edhe të gjithë ata që akoma hamenden dhe  kalkulojnë pozitat e tyre për nevoja të politikave ditore që ta tejkalojnë vetën dhe të rreshtohen me forcat progresive në vend. BDI konstaton  patjetërsueshmërinë e reformave, sundimit të mirëfilltë të së drejtës dhe të barabartë të ligjit si dhe nevojën për transparencë dhe paanshmëri absolute të gjyqësorit si parakusht për integrim euroatlantik.

Bashkëveprimi për ta integruar vendin në NATO dhe BE është shembull i parimit të demokracisë konsensuale, në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën  dhe paraqet zgjidhje sistemore dhe formë të vetme për ushtrim funksional dhe efektiv të pushtetit në vendin tone thonë nga BDI duke i apeluar edhe diasporës që më 30 shtator të vijë në Maqedoni e të përkrah referendumin për integrim të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button