Për Sindikatën e Pavarur rritja e pagës prej 5 për qind në arsim, e pamjaftueshme

Në ngjarjen e nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim ndërmjet MASH dhe SPAKSH, me të cilën parashihet rritje e rrogës për 5 për qind të mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm, u kërkua rritje e rrogës edhe për punonjësit e arsimit të lartë dhe kulturor, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Kulturës dhe Shkencës së Maqedonisë (SPAKSH), Jaki Nedellkovski kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë që të nis aktivitetet për rritjen e nivelit të rrogave edhe në arsimin e lartë dhe të veprimtarisë kulturore.

“Presim që në periudhën e ardhshme Qeveria e Maqedonisë të mbajë llogari edhe për nivelin e rrogave në arsim dhe në kulturë. Do të kërkoja që Qeveria të kushtojë vëmendje edhe për rrogat të cilat nuk parashihen me këtë aktivitet, tash janë rrogat në nivelin e lartë të arsimit dhe në veprimtarinë e kulturës, e cila poashtu nuk është përmendur. Kemi shumë punë, kemi shumë sfida”, tha Nedellkovski.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, se a do të realizohet kërkesa e Nedellkovskit, ministri i Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Arbër Ademi tha se MASH është e përkushtuar që të përmirësojë statusin dhe dinjitetin e punonjësve arsimor.

“Sigurisht se ne jemi të përkushtuar që të përmirësohet ai status, dinjiteti i të gjithë atyre që kanë vendosur që të merren me këtë profesion. Ashtu siç kemi premtuar, me proces gjithëpërfshirës do të vazhdojmë me aktivitetet që të përmirësohet të gjitha gjendjet që lidhen me arsimin dhe shkencën”, tha Ademi.

Ndërkaq kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se shteti do të gjejë mënyra se si ta përmirësojë situatën aktuale në arsim dhe shëndetësi.

“5 për qind me siguri nuk i plotëson pritshmëritë e mësimdhënësve, por është nismë e mirë. Dialogun e nxis që të vazhdojë. Unë jam majtist, përkrahës i sindikatave, dhe besoj se shteti do të gjejë mënyrë se si ta përmirësojë këtë situatë”, tha Zaev.

LEXO: Maqedoni, do të rriten pagat e të punësuarve në arsimin fillor dhe të mesëm

Përndryshe, dje Qeveria e Maqedonisë ka sjellë vendim për rritje të pagave të të punësuarve në arsimin fillor dhe të mesëm për pesë për qind, duke filluar nga pagesa e pagës së shtatorit të këtij viti. Për rritjen e pagës në arsimin fillor janë siguruar 99 milionë denarë, ndërsa për rritjen e pagave në arsimin e mesëm, 40 milionë denarë.

Me Marrëveshjet konfirmohen paga më e ulët për shkallën më të ulët të kompleksitetit për të punësuarit në shkollat fillore e cila do të jetë 12.714 denarë dhe paga më e ulët për shkallën më të ulët të kompleksitetit për të punësuarit në shkollat e mesme e cila do të jetë 13.117 denarë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button