Dorëzohet kërkesa për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se sot kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës e cila pritet të mbahet me 4 shtator, për të shprehur qëndrimit institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës, njofton RTV 21.
Pjesë e kërkesës për seancë të jashtëzakonshme, përveç LDK-së, janë edhe Vetëvendosje dhe PSD. Hoti në një postim në Facebook shkruan se duke parë gatishmërinë e shumicës së grupeve parlamentare për të mbështetur këtë qëndrim, rezoluta do të aprovohet me mbi 80 vota.
Sipas tij, nuk ka mekanizëm politik më të fuqishëm për të shprehur vullnetin e qytetarëve të Kosovës, përmes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të zgjedhur të qytetarëve.
“Askush nuk duhet të ketë guxim të ndërmarrë hapa që bien në kundërshtim me vullnetin e shumicës dërmuese të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës është e obligueshme për të gjithë. Nëse dikush vepron ndryshe, atëherë bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pasojat kushtetuese dhe politike janë të ditura. Kjo rezolutë do të dërgojë tek miqtë tanë ndërkombëtarë, që kanë ndihmuar shtetin e Kosovës të arrijë në këtë pikë ku është tani, vullnetin e qartë të qytetarëve të Kosovës se nuk janë të gatshëm të negociojnë për territorin e Republikës së Kosovës”, shkruan Hoti në Facebook.