OSBE/ODIHR hap misionin për vëzhgimin e referendumit në Maqedoni

yra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) sot zyrtarisht ka hapur Misionin për vëzhgimin e referendumit, që do të mbahet më 30 shtator në Maqedoni, pas ftesës së bërë nga autoritetet e vendit ndaj këtij institucioni, raporton Anadolu Agency (AA).

Misioni udhëhiqet nga ambasadori Jan Petersen, i cili në një konferencë për media bëri të ditur se misioni përbëhet nga ekipi kryesor prej 13 ekspertëve të vendosur në Shkup dhe 20 vëzhguesve, të cilët duke filluar nga 5 shtatori do të shpërndahen në mbarë territorin e vendit në ekipe shumëkombëshe me nga dy persona.

“Misioni do të vëzhgojë jo vetëm votimin në referendum, por ne do të ndjekim procesin e referendumit para, gjatë dhe pas ditës së referendumit në kuadër të këtij mandati”, tha Petersen.

Ai po ashtu theksoi se ODIHR do të kërkojë nga vendet pjesëmarrëse të OSBE-së të sigurojnë 250 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të arrijnë disa ditë para mbajtjes së referendumit.

Sipas tij, vëzhguesit do ta monitorojnë nga afër regjistrimin e votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës së referendumit dhe të organeve përkatëse qeveritare, legjislacionin që ka të bëjë me referendumin dhe zbatimin e tij, por edhe njëkohësisht do të monitorohet mbulimi mediatik i fushatës.

Misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e referendumit do të publikojë një raport të përkohshëm gjatë punës së tij, ndërsa një ditë pas referendumit në një konferencë për media do të publikohet deklarata për gjetjet dhe përfundimet paraprake. Raporti përfundimtar i vëzhgimin do të publikohet rreth dy muaj pas përfundimit të procesit të referendumit.

Fushata për referendumin është planifikuar të fillojë më 10 shtator, ndërsa në fushatë do të jenë të angazhuar deputetët e Shtëpisë ligjvënëse.

Kujtojmë se më 30 korrik, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë mori vendim që më 30 shtator të këtij viti të mbahet referendumi për emrin, i cili do të jetë konsultativ.

Referendumi është pjesë e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrin të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button