Qeverisje pa sovranitet në veri

Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) planifikojnë që të vendosin normalitetin në veri nëpërmjet veprimeve në nëntë fusha të ndryshme. Një plan veprimi, pritet që të ndihmojë Grupin Ndërkombëtar Drejtues që në fillim të muajit të ardhshëm të marrë vendimin që të përfundojë mbikëqyrja e pavarësisë në shtator të këtij viti. Grupi i shteteve që e kanë mbikëqyrur pavarësinë për tërë këto vite të ekzistimit të shtetit të Kosovës ka kërkuar plan dhe hapa konkretë për integrimin e veriut të Kosovës, në mënyrë që vendimi për fundin e mbikëqyrjes të jetë më i lehtë.

Si hap i parë konkret pritet që të vlerësohet hapja e Zyrës Administrative për Veriun e Kosovës, ndërkaq që plani parasheh një varg veprimesh tjera konkrete që do të bëhen në të ardhmen. Zgjedhjet lokale me lista të hapura dhe me sistem ku kryetari i komunës votohet ndaras nga kandidatët për asamble, investime në infrastrukturë dhe krijimi i mundësisë që Gjykata e Qarkut në veri të Mitrovicës të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës, janë disa nga veprimet e planifikuara. Gjithashtu rekomandohet që në veri të ketë një polici të pavarur dhe kompetente.

Plani niset nga parimi se serbët e Kosovës nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, por do t’i përshtaten atij, shkruan “Koha Ditore” .

Qeveria e Kosovës, sipas planit, duhet të fokusohet në shtrirjen e qeverisjes në veri e jo të sovranitetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button