Premtimet për Çairin, ende larg realizimit projekti për 15 rrethrrotullimet

Rrethrrotullimet e premtuara nga Visar Ganiu ende larg realizimit, Komuna e Çairit thotë se janë duke përpiluar projektin, ndërkaq Qyteti i Shkupit thotë se ende është herët të flitet për të njëjtin. Ende nuk ka informata për koston e projektit dhe datat e realizimit, shkruan Portalb.mk.

Rrugët e komunës së Çairit pothuajse gjithë kohës janë të stërngarkuara me makina dhe krijohet një kaos i madh trafiku në këtë pjesë të Shkupit. Kryetari i kësaj komunë, Visar Ganiu, premtoi se do ta zgjidh këtë kaos duke ndërtuar rrethrrotullime në disa rrugë, për të lehtësuar kështu qarkullimin e trafikut.

Ai në intervistën e Portalb.mk, tha se janë premtuar 15 rrethrroutllime, mirëpo për t’u realizuar ato duhet të ndryshohen disa ligje.

Edhe pse kryetari ishte në dijeni për këto ligje,  dhe se fillimisht duhet të ndryshohen ato, ai megjithatë në fushatën paragjedhore u zotua se do të realizon këtë projekt gjatë mandatit të tij si i pari i kësaj komune.

Lidhur me realizimin e këtij projekti mjaft të rëndësishëm për zgjidhjen e kaosit të trafikut, zëdhënësi i kësaj komunë, Kushtrim Alla thotë për Portalb.mk se një rrethrrotullim do ta bëjë komuna, kurse të tjerat do të jenë në koordimin me Qytetin e Shkupit.

“Sa i përket rrethrrotullimeve, në përpilim e sipër është projekti për krijimin e rrethrrotullimit në udhëkryqin që lidh rrugën ’Kemal Sejfulla’ me bulevardin ‘Brigada e Dytë Maqedonase’. Për të tjerat që pritet të ndërtohen përgjatë bulevardeve jemi në koordinim me Qytetin e Shkupit”, tha për Portalb, Alla.

Nga ana tjetër nga Qyteti i Shkupit thonë se për këtë projekt ende është herët të flitet.

“Sa i përket rrethrotullimeve është ende herët të flasim. Momentin që do të kemi plan për aksione konkrete do të informojmë opinionin”, tha për Portalb.mk, zëdhënësi i qytetit të Shkupit,  Valon Salihu.

Gjithashtu ende nuk dihet se sa mjete janë parashikuar për realizimin e këtij projekti,  si dhe nuk jepet ndonjë datë e mundshme për fillimin e ndërtimeve si dhe përfundimit të tyre.

Deri sa komuna së bashku me Qytetin e Shkupit janë në përpilim e sipër të projektit në fjalë, banorët e kësaj komune do të vazhdojnë të kenë trafik kaotik dhe të stërngarkuar në rrugët e kësaj pjese të qytetit.

Në këtë komunë për momentin ka vetëm një rreth rrotullim, ai që lidh komunën Çair me atë të Butelit, në të cilën u vendos përmendorja e shqiponjës dykrerëshe..

Ndërkaq kryetari i komunës së Çairit, Visar Gani gjatë fushatës së tij parazgjedhore premtoi shumë gjëra lidhur me përmirësimin e kushteve të kësaj komune, e cila për vite të tëra është lënë në mjerim dhe në kaos të vërtetë.

Intervistë me kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu: realizimi i disa projekteve nuk varet nga ne (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button