Edhe Jahjaga e gatshme të takohet me Nikoliçin

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që me zgjedhjen në këtë funksion ka deklaruar se do të jetë e gatshme që të takohet me këdo, kurdo dhe kudo kur kjo është në interes të popullit dhe të shtetit të Kosovës.

“Presidentja Jahjaga përfaqëson unitetin e popullit dhe me këtë edhe unitetin politik të vendit, duke respektuar mandatin kushtetues dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, është shtet sovran dhe i pavarur, që ka të garantuar integritetin e saj territorial dhe në të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare përfaqësohet vetëm si e tillë dhe si subjekt i barabartë me të tjerët”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes Jahjaga.

Ai ka thënë se presidentja i ka dhënë përkrahje të vazhdueshme procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e BE-së, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogun e konsideron si të vetmen alternativë dhe të vetmen rrugë që dy vendet, të cilat kanë kaluar nëpër luftë të mund t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe t’i sanojnë pasojat dhe dëmet e luftës. Presidentja Jahjaga dialogun në Bruksel e ka parë si të vetmen rrugë me të cilën Serbia mund të detyrohet që të respektojë normat ndërkombëtare karshi Kosovës dhe popullit të saj. Presidentja Jahjaga thekson se është e domosdoshme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Vllahiu.

Ndryshe, kjo deklaratë pason gatishmërinë e shprehur të presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, të bisedojë me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Kështu të paktën ka pohuar për Radion Evropa e Lirë, Jelko Kacin, raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë. Sipas tij, Nikolic, gjatë vizitës në Bruksel, ka shprehur gatishmërinë të takojë çdonjërin në Kosovë, përveç kryeministrit Hashim Thaçi. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button