Raporti i DASH-it për Shqipërinë, Tabaku: Këmbanë alarmi për vendin

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka përjashtuar Shqipërinë nga lista e vendeve mikpritëse për bizneset amerikane, pas shtatë vjetësh.

Ky raport që është publikuar në faqen zyrtare të DASH-it bazohet mbi analizën ekonomike të mbi 170 shteteve të botës duke vlerësuar klimën e biznesit dhe potencialin e tyre për të qenë treg për bizneset amerikane, transmeton ABC News.

Kjo bazuar në vlerësimin specifik për çdo shtet, të lirisë për investim, sistemit ligjor dhe rregullator, të drejtat e pronësisë dhe intelektuale, transparencën, vlerësimin e sipërmarrjeve me pronësi shtetërore dhe korrupsionin në vend.

Sipas Partisë Demokratike, përjashtimi i Shqipërisë nga lista e vendeve që ofrojnë treg për biznesin amerikan, është këmbanë alarmi për vendin.

“Është një rrufe në qiellin e hapur të një vendi të qeverisur nga narkotrafikantët dhe oligarkët. Të mos jesh vend mikpritës për bizneset amerikane do të thotë se në Shqipëri ka klimë armiqësore ndaj tyre me taksa të larta, ka konkurencë të pandershme nga paratë e pista të trafikut të drogës dhe korrupsionit, ka përqendrim të ekonomisë tek një grusht oligarkësh dhe klientësh të Edi Ramës”, ka deklaruar Jorinda Tabaku, deputete e PD-së.

Ajo ka thënë po ashtu se “opozita e ka denoncuar këtë tendencë shkatërruese të ekonomisë edhe kur Dhoma Amerikane e Tregtisë ka theksuar klimën armiqësore ndaj biznesit, gjë e cila ka sjellë si reagim të qeverisë vetëm sulmin publik të kryeministrit ndaj denoncuesit”.

“Opozita e ka denoncuar me forcë këtë sjellje të qeverisë, për shkak të së cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm ekonomik në botë, partneri ynë strategjik, renditet në vendet e fundit sa i takon investimeve të huaja në Shqipëri”.

“Sot në Shqipëri nuk ka më vend për investitorë amerikanë, sepse ato i kanë zënë investitorët rusë e gjeorgjianë. Sot të vetmit që marrin tendera janë miqtë e kryeminsitrit. Sot çdo PPP jepet nga qeveria pa garë, me ofertë të pakërkuar. Sot ligjet bëhen me emra biznesesh. Sot praktikisht në ekonomi nuk ka më garë”.

Kjo krizë ka vetëm një zgjidhje, sipas demokratëve.

“Planin politik për rikthimin e ekonomisë në duart e sipërmarësve dhe tregtarëve të ndershëm, rikthimin e investimeve të huaja në rajon dhe kjo për Partinë Demokratike, kalon përmes rikthimit tek shqiptarët të çdo qindarka pasuri publike të grabitur nga kjo qeveri, përmes ndryshimit dhe më pas zbatimit të Ligjit Antimafia”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button