SHIME DESHPALI

T’i kujtojmë figurat të cilat kanë dhënë kontribut për kulturën tonë, të cilët kanë krijuar vepra të cilat janë përmendore të rëndësishme të jetës sonë shpirtërore e kulturore. Kjo është detyrë e institucioneve tona. Meqë ato njëherë për një herë nuk po dëshmohen në këtë drejtim, atëherë le të përpiqemi individualisht t’i shpëtojmë nga pluhuri i harresës.

Kësaj radhe do të themi ndonjë fjalë për arbneshin e madh Shime Deshpali, i cili na ka nderuar me krijimtari muzikore e letrare.

Poezia e Shime Deshpalit është hedhur në harresë nga ana e atyre që i bëjnë programet shkollore. Ajo nuk dallohet me syimet e saj për ndryshime në ecurinë e shprehjes moderne poetike, mirëpo i ka disa cilësi të tjera që e bëjnë të veçantë atë, siç e bëjnë edhe poezinë e Josip Relës: të dyja këto janë një arkë ku ruhet thesari gjuhësor i Arbneshit të Zarës, i një oaze të veçantë ku për dy shekuj e më shumë u ruajt një e folme e veçantë e veriut tonë, e folmja e Krajës. Ata që e duan gjuhën shqipe, ata që e duan laryshinë e kësaj gjuhe dhe që gjurmojnë  “fjalë plaka” të cilat janë të rrezikuara të treten  në detin e harresë, do t’i gjejnë në vargjet e Shime Deshpalit. Kjo nuk do të thotë se nuk ka tone lirike në vargjet e Shimes.

Po kush është Shime Deshpali?

Shime Deshpali, ka qenë muzicien dhe shkrimtar shqiptar i Arbneshit të Zarës,  (1897-1981). Sipas Leksikonit biografik kroat, ai një kohë të gjatë ka jetuar jashtë vendlindjes së tij, në ishujt e Dalmacisë ku ka punuar si organizator i jetës muzikore, dirigjent dhe kompozitor. Në këta ishuj ka qenë shumë aktiv dhe  ka formuar disa ansamble të ndryshme muzikore për gra e për burra, ndër të cilat ka pasur ansamble që kanë qenë më të mirat në Kroaci. Gjatë luftës së dytë botërore ka qenë udhëheqës i grupit artistik të qarkut të Dubrovnikut, ndërsa në vitet 1944/45 – dirigjent i orkestrës së Teatrit të qarkut të Dubrovnikut. Në vitin 1945  është emëruar si udhëheqës i Teatrit popullor në Zarë, ku e ka riorganizuar ansamblin e aktorëve  dhe e ka themeluar ansamblin e këngëve dhe orkestrin. Nga viti 1946 deri në vitin 1973 ka punuar si pedagog në shkollën e muzikës. Përveç kësaj është angazhuar edhe në shumë aktivitete të tjera muzikore, në gjimnaz, në shkollën e atjeshme normale dhe në shumë shkolla të tjera dhe në Shoqërinë kulturore arsimore “Arbanasi” me të cilën ka arritur suksese të mëdha.

Duhet të përmendet puna e tij si kompozitor. Ka krijuar disa vepra muzikore për orkestra të instrumenteve të ndryshme. I ka mbetur e papërfunduar opera me titull Vana. Ajo që është me rëndësi për neve ësht se gjashtë këngë të tij korale janë botuar në përmbledhjen Këngë shqiptare (Prishtinë, 1973), të cilat për bazë kanë folklorin e vendlindjes së tij.

Pa vdekjes së Shimes, punën muzikore e vazhduan dhe e avancuan shumë më tepër tre fëmijët e tij Pali, Maja dhe Valteri. Pali është njëri ndër dirigjentët më të mëdhenj e më të suksesshëm të Kroacisë. Ai njëherësh është edhe kompozitor dhe akademik.  Kështu, Shimeja ka pasur njërën ndër familjet më të arsimuara muzikore, jo vetëm në Kroaci, por edhe më gjerë.

Shime Deshpali si letrar ka botuar vjersha e tregime në revista e gazeta të kohës. Përmbledhjen e tregimeve Tregime arbnore e botoi në vitin 1966, në vitin 1969 përmbledhjen e poezive “Agimet e parambramjet të Arbneshit”. Në vitin 1972 e boton përmbledhjen e tij poetike E vërteta.

Fuqia e këtyre veprave fshihet në mrekullinë e ruajtjes së gjuhës shqipe në një vend krejtësisht të izoluar etnikisht. Ky krijues i takon atyre njerëzve që e kanë dashur edhe vendin ku kanë jetuar, por kanë dhënë kontribut të madh edhe për ruajtjen e gjuhës së të parëve të tyre si trashëgimi me vlera pakrahasimisht të mëdha, përmes së cilës janë ruajtur fshehtësitë e shkapërderdhjes së njerëzve të Arbërisë, por edhe rezistenca e tyre për ta ruajtur gjuhën si atdhe që nuk mposhtet. Mund të thuhet se vepra ka në vete shenja të ndritshme, por edhe të dhembjes të cilën si barrë e kanë mbajtur mbi shpatullat e veta të gjithë mërgimtarët shqiptarë të cilët janë detyruar ta braktisin atdheun e tyre në kohë të Peranorisë Osmane e numri i të cilëve nuk dihet, por sipas të gjitha gjasave i afrohet milionit. Për shekujt XVI, XVII, XVIII e XIX ky numër është shumë, shumë i madh.

Mos ta harrojmë këtë burrë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button