Gjevgjeli, filloi ndërtimi i digës “Konsko” (VIDEO)

Në prani të kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikolovski, përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Maqedoni, sot me një ceremoni solemne filluan aktivitetet për ndërtimin e digës “Konsko”, afër Gjevgjelisë.

Puna dhe aktivitetet ndërtimore i janë besuar kompanisë turke “Adali Holding”, e cila ka qenë aktive në sektorin e ndërtimit për 50 vjet.

Diga “Konsko” është një projekt i cili për pesë dekada ka qenë dëshirë e qytetarëve të Gjevgjelisë dhe realizimi i tij tashmë është realitet. Me këtë projekt do të zgjidhen shumë probleme bujqësore si dhe ekonomike ndërsa do të krijohen mundësi për zhvillimin e turizmit malor.

I gjithë projekti kushton 2.4 miliardë denarë. Me shtypjen simbolike të butonit dhe tingujt e sirenës për të filluar detyrat e punës, kryeministri Zaev, shënoi fillimin e punimeve të digës.

“Ndërtimi i këtij hidrosistemi është aktiviteti më i madh infrastrukturor në këtë rajon në 50 vitet e fundit, i cili do të ndërtohet me fonde nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, nga Programi i Zhvillimit Rural dhe më e rëndësishmja, ky akumulim artificial do të ketë rol shumëfunksional”, tha Zaev.
“Funksioni kryesor i agrosistemit ‘Konsko’ do të jetë sigurimi i ujit të pijshëm të pastër, ujitja e tokës bujqësore, duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për zhvillimin e bujqësisë konkurruese, rritjen e prodhimit të ushqimit dhe zhvillimin ekonomik rajonal. Përveç ujitjes, ujërat nga akumulimi ‘Konsko’ dhe uji i derdhur do të përdoren për prodhimin e energjisë elektrike”, theksoi Zaev.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të kompanisë “Adali Holding”, Shefki Adali shprehu kënaqësinë për fillimin e punimeve, duke theksuar se Maqedonia dhe Turqia janë miq të mirë.

Ndër të tjera, ai tha se: “Jemi të lumtur që kemi mundësinë të realizojmë projektin ‘Konsko’, i cili është me rëndësi të veçantë, edhe më shumë sepse shumica e fuqisë punëtore në drejtim të realizimit të projektit do të angazhohet nga resurset njerëzore vendore”.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Nikolovski, në fjalën e tij, gjithashtu theksoi se fermerët nuk do të kenë më problem me ujitjen.

“Aktualisht, nga 12.326 hektarë tokë të punueshme në këtë rajon, mezi ujiten 2.632 hektarë. Realiteti është se ka ujë për rreth 1.500 hektarë”, theksoi Nikolovski.

Kryerësi i punimeve, kompania “Adali Holding”, është optimiste se diga do të ndërtohet brenda afatit të paraparë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button