Shqiptarët mbeten “njerëz mali” edhe në librat e këtij viti?

Një muaj para fillimit të vitit të ri shkollor, tekstet shkollore mbeten të njejtat si të viteve të kaluara, me plot gabime shkencore dhe përmbajtje ofenduese për shqiptarët. Ndryshimi dhe tërheqja e teksteve shkollore është ingerencë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Zyrtarët shqiptarë në këtë ministri kishin premtuar se tekstet shkollore do të pastrohen nga gabimet para fillimit të vitit të ri shkollor.

Çështja e teksteve shkollore me gabime shkencore u hap edhe në Kuvend, në seancën e rezervuar për pyetje deputetësh.

Deputeti opozitar nga radhët e RDK-së, Izet Zeqiri pyeti ministrin e arsimit dhe shkencës Pançe Kralev se deri ku është projekti i tërheqjes së librave me gabime, a do te përmirsohen apo do fillon viti i ri shkollor me librat aktual.

“Kontrollimi i librave është në rrjedhë. Po shqyrtohen të gjitha vërejtjet të cilat vijnë nga qytetarë të ndryshëm. Vërejtjet janë të shumta dhe po rrjedh shqyrtimi i fakteve dhe argumenteve pas çka do të dalim me konkluzione dhe hapa konkret”- tha ministri i arsimit dhe shkencës Pançe Kralev.

Kryetari i lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë (LASH), Nuhi Dardhishta, i cili është edhe anëtar i komisionit nacional për tekste shkollore, tha se nga Ministria kanë premtuar se gabimet do të përmirësohen.

“Tekstet asnjëherë nuk mund të jenë të përsosura, gjithmonë mund të ketë probleme. Punohet në përmirësimet dhe janë përmirësuar të gjitha gabimet mirëpo kur do të dalin kur do të shtypen ajo varet nga Ministria e Arsimit. Unë kam pasur takime direkte që këto gabime të korrigjohen sepse përndryshe do të ketë probleme prapë me tekstet shkollore” –  tha Dardhishta.

Rilindja demokratike shqiptare mendon se mos përmirësimi i gabimeve është tendencë e qeverisë për shtrembimin e historisë dhe manipulim me popullatën.

“Fakti që këto gabime nuk po përmirësohen është një lloj treguesi që qeveri ka interes që të vazhdohet kjo mënyrë e dezinformimin të rinisë dhe e krijimit të një përshtypje të rrejshme për një histori inekzistente dhe poshtërimi i historisë shqiptare” – tha zëdhënësi i RDK-së Artan Dika.

Ai gjithashtu akuzon partinë shqiptare në pushtet, BDI-në se nuk po bën mjaftueshëm që kjo dhe çështjet tjera me rëndësi për shqiptarët të zgjidhen.

“Përfaqësuesit e BDI-së të vetmin interesim e kanë përfitimin nga tenderët. Për çështje që i tangojnë shqiptarët nuk kanë as vullnet e as fuqi politike që të ndryshojnë gjërat” – tha Dika.

Edhe nga PDSH akuzojnë partinë shqiptare në pushtet si fajtor kryesor për gjendjen e arsimit shqiptar në Maqedoni.

“Jo vetëm që kaluan 4 vite që koalicioni qeverisës BDI-VMRO nuk korrigjoi gabimet skandaloze dhe fyerjet ndaj shqiptarëve në librat shkollore, por jemi dëshmitar se gjatë kësaj periudhës 4 vjeçare këto libra me përmbajtje të këtillë gjithë e më shumë po shtohen. Kjo është pa dyshim “sukses” i BDI-së e cila deri tash jo që nuk ka kundërshtuar asgjë, por përkundrazi ka mbështetur “blanko” politikën nacionaliste të VMRO-së, qëllimi i së cilës dihet” – thotë Agon Ferati, zëdhënës i PDSH-së,

Ai beson se edhe këtë vit shkollor qeveria nuk do të korrigjojë librat shkollor, sepse sipas tij qeveria i bëri gabimet dhe nuk do ti korrigjojë asnjëherë pa e detyruar dikush, BDI-ja jo se jo.

Ndërkaq i pakapshëm për prononcim  është zv/ministri i arsimit dhe shkencës Safet Neziri.

Në tekstet shkollore kontestuese shqiptarët quhen “njerëz mali” dhe “ardhacakë”, në librin e gjeografisë ka një hartë ku Maqedonia në veri kufizohet vetëm me Serbinë e jo me Kosovën, dhe gabime të ngjashme ofenduese për historinë e kombit shqiptar./Portalb/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button